Haziri: Do të vazhdojmë të jemi të parët në nivel vendi me rezultatet në arsim

01.09.2015 (komentet: 0)

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2015-2016, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, kanë vizituar sot nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “Selami Hallaqi”, duke i uruar suksese gjatë këtij viti.

 

Displaying DSC_0297.JPG

Kreu i Gjilanit tha me këtë rast se ndjehet i privilegjuar që ndodhet në këtë shkollë, derisa shtoi se ndihet edhe krenar për suksesin e nxënësve të Gjilanit në vitin që e lamë pas, duke besuar se këto rezultate do të avancohen.

“Uroj të gjithë nxënësit, arsimtarët dhe prindërit e komunës së Gjilanit për fillimin e vitit të ri shkollor. Nxënësit tanë janë e ardhmja jonë, janë ata që do ta udhëheqin shtetin në profile të ndryshme dhe rruga e vetme që të arrihen qëllimet e jetës është që të mësoni shumë. Unë jam krenar me ju dhe me arsimtarët tuaj. Gjatë vitit që e lamë pas, nxënësit e Gjilanit kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në të gjitha lëmitë, kudo që kanë garuar. Poashtu, vitin e kaluar Gjilani ka arritur suksesin më të madh të testit të semimaturës në nivel vendi. Shpresoj dhe besoj shumë që me dinamikë edhe më të madhe do të punojmë edhe sivjet, në mënyrë që të vazhdojmë të jemi të parët në nivel vendi me rezultatet në arsim. Ndjehem i privilegjuar që jam në mesin tuaj”, ka thënë para nxënësve të shkollës fillore “Selami Hallaqi”, kryetari Haziri.

Nga ana e tij, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, është shprehur se këtë vit, kjo Drejtori e ka shpallur “vit të ngritjes së cilësisë në arsim”.

“Uroj që nxënësit dhe arsimtarët tanë të kenë shëndet dhe sukses në këtë vit shkollor. E falënderoj kryetarin Haziri, i cili gjithmonë prioritet e ka arsimin sepse një shoqëri dhe një popull nuk mund të zhvillohet pa arsimim cilësor. DKA këtë vit ka shpallur “vitin e ngritjes së cilësisë në arsim”. Kjo është moto dhe porosia jonë në të mirën e nxënësve dhe të shoqërisë.”, tha Musa.

Përndryshe, Komuna e Gjilanit ka investuar shumë shkolla, duke ndërtuar salla sportive, duke renovuar disa shkolla aty ku ka pasur nevojë, në mënyrë që t’u krijohen mundësi më të mirë për nxënësit në nxënien e dijes dhe për një fillim të mbarë.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment