Haziri: Do të vazhdojmë investimet në arsim pa e dalluar qytetin dhe fshatin

26.08.2015 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë sot në takimin e zhvilluar në Drejtorinë Komunale të Arsimit me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme me temën për përgatitjen për fillimin e procesit mësimor për vitin 2015-2016, sikurse është biseduar lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e menaxherëve të shkollave, planet e punës së mësimdhënësve, kodi i mirësjelljes në punë dhe disiplina.

 

Drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka informuar për punët që janë bërë në fillimin e procesit mësimor 2015-2016.

 

”Prezenca juaj e sotme e kryetarit dëshmon për përkushtimin e tij për procesin mësimor. Ne kemi filluar me detyrat tona që nga data 20 gusht pas pushimit të mësimdhënësve dhe me përgjegjësi të madhe kemi filluar të bëjmë disa punë paraprake për pranimin e nxënësve në shkolla. Kemi bërë intervenimin në renovimin e shkollave, gëlqerosjen e objekteve, dezinfektimin, mbajtjen e riprovimit të nxënësve, organizimi i testit kombëtar për fazën e dytë, regjistrimi i nxënësve në klasët e dhjeta dhe në klasën e parë, plotësimin e vendeve të lira sipas konkursit, shpërndarjen e librave falas etj”, ka thënë Musa.

 

Kryetari Haziri ka falënderuar me këtë rast Dretorinë Komunale për Arsim dhe menaxherët e shkollave për angazhimin në mënyrë që të nis viti i ri shkollor në mënyrë më të mirë.

 

“E falënderoj DKA-në, drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme për një angazhim që pas përmbylljes së fazës së pushimeve po hyjmë në një proces të vitit të ri shkollor. Arsimi mbetet prioritet, në të cilin do të vazhdojmë të investojmë pa e dalluar qytetin dhe fshatin, në mënyrë që ta standardizojmë dhe ta vazhdojmë ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve në infrastrukturë dhe kapaciteteve njerëzore, mbi të gjitha”, tha Haziri.

 

“Misioni ynë është që t’i edukojmë fëmijët, prej atyre në moshë shumë të vogël në institucionet parashkollore e deri tek niveli i shkollave të mesme për t’i përgatitur për universitet. Ne do të vazhdojmë ndërtimin e shkollave të reja, një numër i shkollave tashmë janë duke u ronovuar, pastaj ndërtimin e fushave sportive etj. Arsimi këtë vit është dëshmuar se sektori më i suksesshëm krahasuar me sektorët e mëdhenj e të vegjël. Ka shumë punë që janë realizuar dhe ka shumë punë që do t’i realizojmë”, tha Haziri.

 

Më pas, kryetari Haziri me bashkëpunëtorë ka vizituar 5 shkolla të qytetit si: “Mehmet Isai”, “Musa Zajmi”, “Thimi Mikto”, Zija Shemsiu” dhe “Arbëria”, disa prej të cilave janë në përfundim të renovimeve.

 

Haziri është ndarë tejet i kënaqur me punët që janë duke u bërë nëpër shkollat e Gjilanit, për të siguruar një arsimim sa më cilësor për nxënësit e Gjilanit./2L ONLINE/





 

Kthehu mbrapa

Shto koment