Haziri diskuton me Komitetin Olimpik për organizim të panairit sportiv në Gjilan

11.06.2016 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë ka pritur në një takim delegacionin e Komitetit Olimpik të Republikës së Kosovës të kryesuar nga kryetari Besim Hasani, me të cilët kanë biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sportit, por edhe mbështetjes së veçantë të sportistëve të cilët janë pretendent për kampionatin botëror.

 

 

Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se së bashku me Komitetin Olimpik kanë biseduar për organizimin e panairit sportiv në Komunën e Gjilanit.

 

“Biseduam së bashku për bashkëpunim në organizim të panairit sportiv në Gjilan. Kjo është iniciativë e Komitetit Olimpik, të cilit duhet t’i japim mbështetje të gjitha Komunat e Kosovës. Organizimi është më 23 qershor dhe Gjilani do të jetë njëra prej Komunave organizatore të këtij aktiviteti. Ka ardhur koha që të rrisim ndjeshmërinë ndaj sportit për fëmijë, për grupmosha të ndryshme dhe meqë Gjilani po del si njëra nga Komunat me sukses më të mirë në testin e arritshmërisë dhe të maturës, na takon që edhe garat sportive në shkolla t’i organizojmë, në mënyrë që të njoftohen të rinjtë me sportin”, ka thënë kryetari Haziri.

 

Haziri gjithashtu ka shprehur gëzimin e tij për një sportist gjilanas, i cili është duke bërë përgatitjet për garat olimpike.

 

“Boksieri Violant Sylejmani do ta ketë mbështetjen maksimale të Komunës që të arrij të përfaqësoj Gjilanin dhe Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai.

 

Kurse, Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka thënë se së bashku me Komunën e Gjilanit janë duke punuar që të bëhet sa më masiv sporti.

 

“Jemi duke punuar të gjithë së bashku që sportistët e rinjë të jenë në numër më të madh gjithnjë. Gjilani ka sportiest të shumtë, kemi rastin e Violant Sylejmanit, i cili është duke punuar shumë. Ai është në rrugën e mbarë për të fituar normën olimpike. Ka shansin që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror i Boksit në Baku dhe nëse radhitet në mesin e pesë më të mirëve, kjo ia garanton normën olimpike dhe pjesëmarrjen në Rio. Atij i duhen stërvitje të mëdha në boks në kushte shumë më të mira e më të zhvilluara”, ka thënë ndër të tjerash në fjalën e tij, Hasani. 

Kthehu mbrapa

Shto koment