Haziri: Dëshmorët vunë themelet e shtetit të Kosovës - 17 shkurt 2014

17.02.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga zyrtarët komunal, ka bërë sot homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe tek lapidarët në ditën e shënimit të gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e rastit, kryetari Haziri ka thënë se 17 shkurti shënon kthesën e madhe historike të popullit të Kosovës, ndërsa tha se po i nderon dëshmorët për nderë të sakrificës së tyre, të cilët për këtë ditë të bardhë nuk kursyen as jetën.



“Ky gjashtë vjetor duhet të na motivon dhe obligon të vazhdojmë rrugën tonë për shtrirjen e plotë të pavarësisë dhe lirisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës e në veçanti për ata që sot vazhdojnë me qenë të diskriminuar siç është rasti me shqiptarët e Kosovës Lindore. Përderisa nuk zgjidhet problemi i tyre ata mbeten një Kosovë e vogël në afërsi të Kosovës vieneze që është padrejtësi i kohës së vet, por besojmë shumë se ecja jonë rruga jonë drejt një integrimi të brendshëm dhe një integrimi më të madh shqiptar do të shkoj paralelisht me integrimin Europian që është aspiratë. Në këtë ditë të bardhë ne i falënderohemi familjeve të dëshmorëve pasardhësve të atyre që sakrifikuan dhe gjaku i tyre në themelet e lirisë së Kosovës u bë shkas që ne sot të jetojmë në liri dhe të jetojmë në këtë shtet”, ka thënë Haziri. 

Me këtë rast, kryetari Haziri ka thënë se projekti i parë i Komunës është rregullimi i varrezave të dëshmorëve sepse, siç tha, nuk mund të ndihemi rehat që dëshmorët akoma nuk kanë vend të rregulluar si i ka hije.

“Rregullimi i varrezave do të jetë projekti i parë që qeverisja komunale do ta bëjë. Ky nuk është vetëm prioritet por është edhe obligim kjo detyrë e pakryer dhe e mbetur përgjysmë. Kjo nuk i lë rehat, edhe neve të gjallëve që jemi sot, sepse qytetarët meritojnë që në një ambient ku prehen dëshmorët dhe heronjtë e kombit që kanë dhënë shumë jo vetëm për Kosovë. Natyrisht do të shikojmë mundësinë edhe të varrit të Idriz Seferit dhe varrezave të dëshmorëve dhe heronjve të padeklaruar që janë shumë në anën tonë dhe natyrisht që kanë mbetur ende të pandriçuar. Ky vend do të bëhet një vend për të gjithë qytetarët, por ky vend ku prehen heronjtë dhe dëshmorët duhet të jetë një vend vërtet i rregulluar mirë dhe do të jetë detyrë e parë e Komunës”, tha Haziri.

Manifestimi për nderë të gjashtë vjetorit të shpalljes së Kosovës realizohet nën përkujdesjen e kryetarit Haziri dhe vazhdon me seancën solemne në Kuvendin Komunal në ora 11:30, me koncertin për fëmijë në ora 12:00, me koncertin e muzikës klasike në ora 15:00 për të përfunduar me koncertin e madh festiv që fillon në ora 19:30.

Kthehu mbrapa

Shto koment