Haziri: “Darka e Lamës” është falënderim ndaj Zotit, ndaj kompanive agroindustriale dhe bujqve

30.10.2015 (komentet: 0)

 

Gjilan, 30 tetor 2015 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka hapur sot zyrtarisht festën tradicionale të falënderimeve “Darka e Lamës”, ku pati një pjesëmarrje të jashtzakonshme të qytetarëve të Gjilanit.

 

Pos zyrtarëve komunalë, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partive politike, deputetë, e qytetarë të rëndomtë.

“Darka e Lamës” është falënderim ndaj Zotit për begatinë që na e ka dhënë, falënderim për bujqit, familjet tona dhe të gjitha ata që kanë punuar ditë e natë që ky bereqet të jetë në sofrën e qytetit të Gjilanit sepse me këto të mira që prej ujit, mjaltit, e deri te buka, pemët, perimet dhe industritë e ushqimit të në Gjilan, janë marka dhe brendi më i mirë që kanë gjilanasit dhe tregojnë qartë mire, e drejtë, që ne duhet t’i konsumojmë këto prodhime. Sofrën tonë duhet ta mbajmë me prodhimet tona”, tha në hapjen e “Darkës së Lamës” kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri ka falënderuar të gjitha familjet farmere dhe kompanitë që kanë pasur shumë sukses sivjet me prodhimet e tyre, falë mbështetjes komunale.

“Komuna e Gjilanit me të gjitha kapacitetet i ka mbështetur familjet farmere përmes Drejtorisë së Bujqësisë, ku kemi ndikuar në rritjen e prodhimit vendor. I falënderoj të gjithë, në veçanti kompanitë që janë sot këtu, të cilët po bëjnë shumë që t’i blejnë, t’i marrin të gjitha prodhimet, t’i ruajnë dhe t’i shesin si: “Calabria”, “Ask Food”, “Moea”, “Consoni”, “Kabi”, “Fluidi”, “Dea”, mishtoret: “Luli”, Malësia” e “Gazi”, si dhe të gjitha kompanitë tjera që në Gjilan janë brendi i shqiptarëve. Zoti e bekoftë këtë sofër”, ka shtuar kryetari Haziri.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka falënderuar të gjithë agropërpunuesit gjilanas për të mirat që i kanë sjellë në këtë tryezë të bereqetit dhe të gjithë bujqit për punën dhe mundin bërë.

“Ky vit ishte mjaft i bereqetshëm dhe të vjelat janë si vijon: grurë - mbi 11 mijë tonë, misër – 9 mijë tonë, mish – 410 tonë, qumshtë – afro 17 mijë tonë, mollë – 4000 mijë tonë, kumbull - 39–0 tonë, mjaltë – 48 tonëa, domate 1800 tonëa, speca 750 tonë, patate 2000 tonë etj”, u shpreh drejtori Ramadani.

Ai tha se mbështetja e bujqve do të vazhdojë duke i subvencionuar ata me mekanizëm, pajisje bujqësore, serra komerciale, material fidanor, rregullim të infrastrukturës rrugore me qëllim të rritjes së kapaciteteve.

Përndryshe, mbështetja për bujqit e Gjilanit për vitin 2015 kap shifrën e afro 2.5 milionë euro, që përfshinë subvencione, grante, mekanizim bujqësor, farë gruri, misri, pleh artificial e mbështetje tjetër në blegtori.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment