Haziri braktisi AAK-në

01.09.2015 (komentet: 0)

Sokol Haziri, njëri ndër themeluesit e AAK-së në Gjilan, nuk është më pjesë e këtij subjekti politik. Pas më se 15 viteve pjesë e AAK-së, ai ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha përgjegjësitë që kishte dhe nga të qenit anëtar i AAK-së.

 

 

Ndërkohë që ai ka paralajmëruar se nga ky subjekt do të ketë ikje të reja, që do të prekin, të gjitha strukturat partiake, nga dega e nëndegët, aktivet, por edhe zhvillime të reja në Kuvend e institucione të tjera.

 

Sokol Haziri kohë më parë, kur kreu i komunës Lutfi Haziri kishte bërë riformatimit e një pjese të qeverisë lokale, ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Shërbimeve Publike, drejtori kjo që i takonte AAK-së si partnere e LDK-së, në koalicionin bashkëqeverisës në Gjilan, për ta vendosur kuadrin LDK-ja, derisa AAK, drejton një drejtori tjetër, ku ka dërguar drejtor tjetër.

 

Haziri ka thënë se ka kohë që në AAK nuk funksionon asgjë, është subjekt që jo që nuk po zhvillohet, por është bllokuar keq, nuk ka demokraci të brendshme dhe se nuk respektohen organet të partisë, por merren vendime nga individ, pasi interesat personale janë vendosur mbi ato të përgjithshme. Sipas tij, në AAK po instalohet praktike moniste dhe antidemokratike dhe tendenca për të krijuar lidership të paprekshëm e të pazëvendësueshëm në nivel dege. Fatkeqësisht kanë besimin e qendrës veprimet e tilla antidemokratike.

 

Haziri ka bërë me dije se ndonëse drejtoria e tij ishte shpallur më e mira në nivel vendi dhe se ai ishte në kulmin e suksesit, çuditërisht atij iu kishte kërkuar të tërhiqet, madje edhe nga vet kreu i partisë, gjë që ishte e pakuptimtë dhe se nuk e kishte bërë, por më pas është shkarkuar nga kreu i komunës pasi këtë drejtori tani më e ka marrë LDK-ja, me bekimin e kryetarit të degës Së AAK.

 

Haziri ka qenë kritik edhe për faktin se koalicionin në nivel të komunës, pjesa e AAK-së, ishte shndërruar në instrument të servilitetit dhe përuljes në raport me LDK-në.

 

Madje ai ka thënë se ka pas edhe diferencime të shërbyesve civil që nuk janë pjesë e anëtarësisë LDK-AAK, dhe për këtë ka fajësuar edhe pjesën e AAK-së për bashkëpjesëmarrje aktive. Po ashtu ai ka përmendur se ka pas edhe veprime tjera në kundërshtim me ligjin, në ushtrimin e përgjegjësive publike, për çka shpreson se do të merret edhe drejtësia.

 

Për më tepër, ai thotë se realisht nuk e di pse e kanë hequr nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, por se supozon se e kanë bërë një gjë të tillë, sepse nuk është njeri i kalkulimeve, nuk bëhet kurrë pjesë e klaneve dhe e interesave të ulëta individuale, por përherë është angazhuar sinqerisht për të respektuar ligjin dhe që të jetë në shërbim të interesave të përgjithshme, e kjo, sipas tij, i ka penguar dikujt.

 

“Nuk e di realisht pse jam hequr nga pozita e drejtorit, pasi isha me plotë suksese. Madje edhe opozita ka pas vlerësime pozitive. Por, siç duket do të ndodhin gjëra të këqija aty dhe në mua nuk kanë mund të llogarisin, andaj më larguan për të bërë, atë që synojnë”, ka thënë Haziri.

 

Përndryshe, ai tha se dëshiron ta ndajë edhe një fakt ku në zgjedhjet brenda partiake, në tri Kuvende kishte fituar votat për të qenë kryetar, por se asnjëherë nuk kishte mbështetje, por kryetari ishte emër zarfi, pra edhe nga qendra është kërkuar të lëshojë rrugë. Ai tha se nuk e ka parë vetën më në këtë subjekt, ndërsa thotë se i mirëkupton tani ikjet e deritanishme që kanë ndodh sepse, sipas tij, përherë ka pas ikje nga ky subjekt, por ja që ai kishte pas vullnetin për të dhënë maksimumin përgjatë gjithë kohës, deri më sot, duke menduar dhe besuar se mund të ketë politikëbërje morale dhe legale.

 

Përndryshe, Sokol Haziri tha se nuk bëhet fjalë se po e braktis AAK-në, për të kaluar në ndonjë parti politike, apo të krijojë ndonjë të re, thjeshtë do të vazhdojë angazhimin e tij tani si i paparti, ndërsa e ardhmja do të nxjerrë në pak vendimet e reja nga ana e tij.

Kthehu mbrapa

Shto koment