Haziri: Bashkësitë fetare janë pjesë e zhvillimeve pozitive

07.05.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga OSBE me bashkësitë fetare të regjionit të Gjilanit, ku temë e debatit ishte dialogu ndërfetarë në Kosovë, ndërsa janë paraqitur të arriturat dhe sfidat që kanë gjatë funksionimit.

Me këtë rast kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se bashkësitë fetare në këtë regjion janë pjesë e zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur.

“Për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në qeverisjen tonë lokale dhe në jetën në përgjithësi, një kontribut të çmueshëm kanë dhënë edhe bashkësitë fetare, në këtë rrugë të cilën e pretendojmë të gjithë. Një bashkëpunim i juaji me institucionet, por edhe i juaji mes vete ndikon që të kemi progres ndërmjet besimtarëve. Ju si bashkësi fetare keni nevojë të mbështetjes ligjore. Mbështetja nënkupton jo vetëm kompetencën tuaj por buxhet vjetor dhe mjete të tjera karshi institucioneve të vendit, duke mos e cenuar asnjëherë pavarësinë e ushtrimit të aktivitetit – misionit tuaj fetar që e keni në Kosovë. Sa i përket nivelit lokal, përherë do të jem afër jush dhe kërkesave tuaja. Në rrafshin e parë dialogu fetar intensiv, që Komunën tonë ta bëjmë vend të bashkëpunimit të mirë ndërfetar dhe pajtim ndëretnik, ndërsa e dyta është aspekti i vazhdimit të thellimit të mirëkuptimit mes vete”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa Naim Aliu nga Bashkësia Islame, Dominik Qerimi nga Don Bosko dhe Naim Bllaca nga kisha protestante, kanë konfirmuar bashkëpunim mes vete, duke e paraqitur si një sfidë për Gjilanin punën e Varrezave të Qytetit, ku hapësira atje tashmë është shumë e limituar.

Për këtë kanë marrë mbështetjen e kryetarit lidhur me atë se Komuna është duke punuar në këtë drejtim për gjetjen e një vendi adekuat për varrezat e reja dhe konservimin – ruajtjen e varrezave të tashme të qytetit.

Ndryshe me iniciativën e kryetarit është ftuar një takim i përbashkët në zyrën e kryetarit javën e ardhshme me bashkësitë fetare të katër religjioneve nga ky regjion.

Pas debatit do të vizitohet Bashkësia Islame në Gjilan dhe Qendra “Don Bosko”. 

Kthehu mbrapa

Shto koment