Haziri: Arsimi është prioriteti numër një në qeverisjen time

08.01.2014 (komentet: 0)

 Kryetari i Komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri pasi ka vizituar Drejtorinë Komunale të Arsimit për t’i uruar fillimin e gjysmë vjetorit të dytë, së bashku me U.D. të DKA-së Bardhyl Syla pastaj kanë vizituar edhe shkollën fillore në lagjen e II dhe Gjimnazin e Ri, ku i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e këtij gjysmë vjetori, duke ju dëshiruar suksese dhe duke ofruar mbështetjen për arsimin në përgjithësi, që është prioritet i parë. 

 



Me këtë rast Haziri, gjatë vizitës në lagjen e II, ka thënë se arsimi është prioriteti i tij i parë dhe për këtë do të angazhohet në maksimum si i pari i Gjilanit. “Arsimi është prioriteti i parë i yni dhe jemi të përkushtuar që çdo gjë që është e mundur për t’u bërë, ta bëjmë nga ana jonë. Do të punojmë bashkërisht për të mirën e shkollës, nxënësve dhe personelit në përgjithësi”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ruhan Zymberi drejtor i shkollës fillore në lagjen II, ka falënderuar kryetarin për përzgjedhjen e shkollës të cilën ai e menaxhon, duke e informuar atë se shkolla funksionon mirë si nga ana e stafit, poashtu edhe nga ana e përkushtimit të nxënësve.

Edhe në Gjimnazin e Ri, kryetari Haziri, ka thënë se ka zgjedhur këtë shkollë për t’u uruar të gjithë mësimdhënësve në këtë shkollë por edhe të tjerëve nëpër shkollat e Gjilanit fillimin e gjysmë vjetorit të dytë. “Jam këtu t’u uroj të gjithëve këtë fillim. Arsimi është një sektor shumë i madh, por përkrahjen time do ta keni të vazhdueshme për të ecur përpara dhe bashkërisht do t’ia dalim mbanë”, ka thënë ai ndër të tjerash, duke u interesuar për funksionimin në përgjithësi të kësaj shkolle. 

Drejtori i Gjimnazit, Sami Hoxha, e ka uruar kryetarin për detyrën e re dhe e ka falënderuar njëkohësisht atë për vizitën. Ai e ka informuar edhe për sa i përket kushteve në të cilat punon kjo shkollë, sfidat dhe projektet për të ardhmen që do të zhvillohen në këtë shkollë e që janë në vazhdën e finalizimit të këtij projekti. 

Ndryshe në shkollat e Komunës së Gjilanit, mësimi ka filluar me kohë dhe sipas orarit të përcaktuar. /2LONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment