Haziri: Aplikoni për legalizim të ndërtimeve pa leje deri më 5 shkurt

03.02.2015 (komentet: 0)

 Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka apeluar tek të gjithë qytetarët që deri më 5 shkurt të aplikojnë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në Drejtorinë Komunale të Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, pasi që kjo është një mundësi dhe lehtësim në të njëjtën kohë, për ta bërë legal ndërtimin që ka ndodhur deri më tani në Gjilan.

 

“Apeloj te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, që të aplikojnë në drejtorinë e Urbanizmit për legalizimin e ndërtimeve. Kjo është një mundësi shumë e madhe që u ofrohet qytetarëve tanë në kuadër të kampanjës për legalizim të ndërtimeve në nivel vendi e që afati i fundit është 5 shkurti 2015. Është procedurë shumë e thjeshtë dhe e shpejt. Mjafton që të paraqiteni në zyrat e kësaj drejtorie dhe për më pak se 5 minuta mund të aplikohet falas për legalizim të ndërtimit”, tha Haziri.

Kryetari i Gjilanit pohoi se zyrtarët e kësaj drejtorie janë në shërbimin tuaj për të ofruar informata të mjaftueshme lidhur me procedurat e aplikimit dhe procesin e legalizimit në përgjithësi.

Kryetari Haziri ka porositur qytetarët që pavarësisht se ku jetojnë dhe në çfarë periudhe kohore ka ndodhur ndërtimi duhet të bëjnë këtë hap të rëndësishëm për pronën ku jetojnë në mënyrë që të jenë rehat gjatë të ardhmes sa i përket legalitetit të ndërtimit të tyre.

Ndryshe, ky proces ka nisur nga fillimi i janarit dhe përfundon më 5 shkurt sa i përket aplikimit për legalizim, ndërsa gjatë të ardhmes qytetarët, poashtu, do të njoftohen edhe me hapat tjerë që duhet të ndërmarrin në këtë drejtim. /kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment