Haziri apelon tek qytetarët që t’i paguajnë borxhet ndaj Komunës brenda dy javësh

23.06.2015 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën e sotme për media, ka kërkuar nga operatorët, ndërmarrjet dhe subjektet tjera që kanë obligime ndaj Komunës, që t’i shlyejnë ato brenda dy javësh, duke paralajmëruar se pas dy javësh kjo çështje do të realizohet përmes përmbaruesve.

 

”I ftoj të gjitha ata që kanë obligime të pakryera nga janari i vitit 2009 e deri më tash, që përfshinë tatimin në pronë, taksat dhe të hyrat komunale, lejet urbane dhe të hyrat tjera që vijnë nga ndërtimi, t’i kryejnë të gjitha obligimet brenda dy javëve në mënyrë që Komuna të mos ketë nevojë të filloj grumbullimin e mjeteve përmes përmbaruesve, ku do të bllokohen xhirollogaritë bankare në mënyrë që të inkasohen mjetet në këtë formë. Këto borxhe janë mbi 8 milionë euro dhe përfundimisht prej sot do të lëshohet urdhëresa ekzekutive dhe pas dy jave të hynë në fuqi grumbullimi i të gjitha këtyre borxheve”, ka thënë i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Kryetari Haziri tha se kanë evidentuar 54 objekte pa leje dhe janë marrë të gjitha veprimet konkrete nga administrata komunale.

”Ne kemi evidentuar 54 objekte pa leje në komunën e Gjilanit dhe inspeksioni tashmë ka ndërmarrë veprimet konkrete. Kemi dhunim të ligjit, largim të shiritave pasi që ka ndërmarrë veprimet konkrete administrata jonë dhe të gjitha i kemi proceduar në gjykatë. Do të ndërhyjë me forcën e ligjit në mënyrë që të vendoset rregull dhe do të ndërhyjmë edhe më rrënime. Kërkoj që të gjitha palët të paraqesin ankesa ose kërkesa për legalizim, për pajisje me leje në mënyrë që mos të ndërhyjmë në çështje që mund t’i prek të drejtat e banimit”, është shprehur Haziri.

Ai tha se  tek ndërtimi lartë ka motive dhe elemente politike që janë të bashkëdyzuar me biznes dhe, sipas tij, ndaj tyre do të ketë tretman të barabartë ashtu siç thotë ligji.

Kreu i Gjilanit ka shtuar se Task Forca për borxhet po vazhdon të punoj që t’i koordinojë punët me Ministrinë e Financave lidhur me listën e faljeve apo amnistisë në mënyrë që së bashku me ATK-në dhe Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet konkrete dhe të përmirësohet gjendja në këtë fushë.

Duke folur për kategorinë sociale të banimit, kryetari Lutfi Haziri tha se deri më tash Komuna në bashkëpunim me donatorët ka ndërtuar shtatë shtëpi për familjet në nevojë, derisa paralajmëroi se edhe për pesë familje të tjera do të nis ndërtimi shtëpive.

”Lajmi i mirë është për kategorinë sociale të banimit, ku deri tash kemi ndërtuar shtatë shtëpi dhe do të vazhdojmë edhe me pesë shtëpi të reja të banimit sipas listës së komisionit. Gjithashtu, sot është vendosur që 41 familjeve në Gjilan t’u paguhet qiraja jo më shumë se 100 euro dhe 32 shtëpi do të përfitojnë në renovimin e objekteve që kap vlerën e mbi 200 mijë euro investim nga Komuna. Këto mjete janë kryesisht të grumbulluara nga kuadër të aksionit të komunës dhe nga buxheti i Komunës”, u shpreh ai.

I pari i gjilanasve ka apeluar tek të gjithë donatorët që kanë premtuar në gala mbrëmje që t’i realizojnë premtimet e tyre sa më parë në mënyrë që t’i dilet në ndihmë kësaj kategorie të shoqërisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment