Hanife Malaj s’është vetëm nëna e Fitores, por është nënë dhe simbol i fitoreve të mëdha të shqiptarëve

28.11.2015 (komentet: 0)

Hanife Malaj, bashkëshortja e heroit kombëtar Rexhep Malaj, e ka pranuar sot çmimin “Qytetare Nderi” e Komunës së Gjilanit, pikërisht në prag të festave të nëntorit me vendim Kuvendit Komunal të Gjilanit të miratuar në të datës 29.09.2015 me motivacionin “për avancimin e vlerave njerëzore, për humanizëm dhe sakrificë në ruajtjen dhe ndërtimin e familjes”.

 

 

Këtë çmim ia dorëzuan sot zonjës Malaj kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kryesuesja, Valentina Bunjaku Rexhepi.

“Kjo grua gjatë gjithë historisë me dinjitet dhe fisnikëri të lartë do të jetë zonja që gjithmonë do të mbaj lartë flamurin e qëndresës dhe të familjes. Ajo gjatë gjithë historisë, arriti të mbroj popullin nga asimilimi duke ruajtur njëkohësisht gjuhën, traditën, kulturën dhe familjen. Ajo në rrethanat më të papërshtatshme historike, u inkuadrua në rrjedhat që u impononte faktori kohë”, ka thënë me këtë rast kryesuesja Bunjaku Rexhepi.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, tha se zonja Hanife nuk është vetëm nëna e Fitores, por është nënë dhe simbol i fitoreve të mëdha.

“Jam i nderuar që Kuvendi i Komunës me konsensus e ka miratuar ndarjen e një çmimi të vogël për zonjën Hanife, po për neve është çmim shumë i madh sepse po e nderojmë një njeri të gjallë, një zonjë, një nënë, dhe një grua që fuqishëm qëndroi, jo prapa bashkëshortit dhe udhëheqësit të çelikt që e cilësonin shokët e tij, por qëndroi prapa heroit të shqiptarëve, Rexhep Malaj. Zonja Hanife i ka të gjitha atributet. Sot duhet t’ia japim edhe një atribut që Rexhep Malaj ia ka lënë. Ajo është nëna e Fitores, jo vetëm e kësaj që është pasardhëse e denjë, por është nëna e fitoreve të mëdha që pushka e Rexhep Malës në vitet 80-ta ka bërë jehonë. Zonja Hanife është simboli i fitoreve të mëdha në Gjilan, në Kosovë dhe kudo që janë shqiptarët”, u shpreh i pari i gjilanasve.

Me të marrë çmimin, Hanife Malaj e ka falënderuar Komunën e Gjilanit për këtë çmim, duke thënë se “ndihem shumë e nderuar, por nderi i takon të gjithë atyre nënave, motrave, vëllezërve që sakrifikuan me shekuj për lirinë e vendit tonë”.

 

Një fjalë rasti e pati edhe Mehmet Hajrizi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe mik i familjes Malaj, i cili tha se Hanife Malaj meriton të nderohet për përkushtimin e saj jetësor, për veprimtarisë revulucionare së të shoqit të saj, heroit Rexhep Malaj dhe ndaj familjes së saj. 

Pas dhënies së këtij çmimi ka pasur koncerti i muzikës klasike i shkollës së muzikës së Gjilanit

Kthehu mbrapa

Shto koment