Haziri: Llashtica është Reçaku i Lindjes së Kosovës

13.04.2014 (komentet: 0)

Në fshatin Llashticë në 15 vjetorin e rënies së martirëve sot është mbajtur Tubim përkujtimor, ku të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, z.Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu, kryesuesja Valentina Bunjaku – Rexhepi, deputetja Lirije Kajtazi, familje të dëshmorëve dhe banorë të kësaj ane.

 

Me këtë rast kryetari i Komunës, Haziri, para të pranishmëve ka thënë se pa të rënët e shumtë në luftën e fundit të vitit ’99, liria që sot po e gëzojmë nuk do të vinte.

“Sot përkujtojmë 15 vjetorin e vrasjes së martirëve të këtij fshati të Karadakut, përkujtojmë edhe 70 vjetorin e masakrës së madhe të po këtij fshati dhe do të përulemi përherë para atyre që dhanë gjakun dhe gjithçka nga vetja e tyre, që ne sot të jetojmë e punojmë të lirë. 26 martir të Llashticës dhe shumë të tjerë nga fshatra tjera, janë ata që sot dhe çdo ditë tjetër na bëjnë krenar të gjithë neve për këto ditë të bardha që po i jetojmë tani. Llastica është Reçaku i Lindjes së Kosovës. Ky është vendi që armiku edhe gjatë tërheqjes së tij ka ushtruar dhunë dhe ka kryer krime ndaj popullatës së pafajshme civile, duke mos kursyer as foshnjat në djep dhe as personat e shtyrë në moshë. Llashtica, Lladova, Zhegra, Llovca, Karadaku dhe gjithë Gjilani kanë dhënë shumë për lirinë e këtij vendi”, ka potencuar ndër të tjerash kryetari Haziri.

Në anën tjetër drejtori i shkollës “Esat Berisha”, Nehat Shabani, ka thënë se Llashtica është pjesë e rrugëtimit faqebardhë në lirinë të cilën sot e gëzojmë të gjithë bashkërisht.

“Llashtica është pjesë e rrugëtimit faqebardhë në lirinë e Kosovës. Ky fshat i tillë ishte në çdo etapë të historisë që nga 1912-ta. Është fshat që pos martirëve të dhënë për liri edhe në anën materiale kishte dhënë shumë, ku pjesa më e madhe e shtëpive ishin djegur e plaçkitur nga okupatori serb”, ka spikatur ai ndër të tjerash.

Ndërsa në emër të familjeve të martirëve nga Llashtica, Emrush Selimi, i ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, duke porositur dhe kërkuar në emër të tyre që një rrugë e qytetit të Gjilanit në të ardhmen të emërtohet me emrin e martirëve të Llashticës.

Më pas janë lexuar poezi  të përgatitura nga nxënësit e shkollës “Esat Berisha”, me tematikë patriotike dhe në kujtim të të rënëve.

Pas tubimit të gjithë bashkërisht kanë bërë homazhe tek varret e të rënëve dhe kanë bërë zbulimin e pllakës së njërit nga martirët, asaj të Ali Selimit.

Ndryshe në Llashticë janë vrarë nga okupatori serb, 26 martir duke nisur nga foshja tri javësh e deri tek martiri i moshës 90 vjeçare. 

Kthehu mbrapa

Shto koment