Greva e mësimdhënësve dhe e shëndetësisë e kuptueshme, por në kohë të rëndë për vendin

30.01.2015 (komentet: 0)

 

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, ka thënë se përkundër që kërkesa e sindikatës së arsimit është e kuptueshme, ajo është e vështirë për t’u realizuar në këtë kohë kur vendi ka shumë qytetarë të papunë, shumë prej tyre duke lëshuar vendin dhe probleme të shumta ekonomike dhe sociale.

 Poashtu grevës i janë bashkuar edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan, kështu ka pohuar drejtori i kësaj qendre Fejzullah Berisha, i cili ka potencuar se greva zgjatë deri nesër në mëngjes, por të gjitha rastet e rënda shëndetësore që kanë qytetarët do të marrin shërbimet e qendrës, ndërsa rastet më të lehta do të kthehen prapa.

Me këtë rast drejtori i Arsimit Nazmi Musa ka potencuar se gjendja në të cilën ndodhet vendi është shumë e rëndë që të zgjedhim rrugën e grevës dhe veprimeve tjera sindikale.

“Sot në të gjitha institucionet e arsimit nuk është zhvilluar procesi mësimor për shkak të grevës e thirrur dhe e organizuar nga Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës. Në thirrjet e sindikatës dhe mesazhet e dërguara kuptohet që situata në arsim do të përshkallëzohet në destabilizimin e procesit mësimor në rast se nuk zbatohet në përpikëri kontrata kolektive që është nënshkruar në vitin e kaluar nga qeveria e Kosovës, por edhe ngritja e pagave sipas premtimit. Përmes kësaj kontrate mësimdhënësit dhe sindikata shohin interesin e vet në ngritjen e pagave dhe shumë benificione të tjera, të cilat nuk janë të kundërshtueshme por të pa realizuara gjithnjë sipas deklarimeve të kryeministrit për shkak të mungesës së buxhetit”, ka thënë drejtori Musa.

Ai ka thënë se procesi mësimor nuk do të duhej të ndërpritet sepse është në dëm të stabilizimit të arsimit si fushë, në dëm të nxënësve por edhe në dëm të asaj që për këtë hap nuk është marrë edhe mendimi i prindërve.

“Kjo është e dëmshme për arsimin në përgjithësi si fushë, e dëmshme për nxënësit, por edhe për prindërit prej të cilëve nuk është marrë fare mendimi. Asnjë e drejtë nuk duhet të fitohet në dëm të individit apo të grupit, për interesa materiale, politike apo sociale. Të gjithë e dimë se pozita që e kanë mësimdhënësve sot në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më e mirë se sa tani në të gjitha aspektet. Mësimdhënësit do të duhej të përqendroheshim dhe ndiheshim keq për shkak të mungesës së nxënësve të tyre të cilët në këtë gjysmë – vjetor të dytë së bashku me familjet e tyre kanë migruar jashtë vendit si pasoj e gjendjes së rëndë ekonomike, sociale dhe papunësisë së prindërve të tyre”, tha drejtori i arsimit Nazmi Musa.

Ndërsa drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Fejzulla Berisha, ka thënë se sindikatës së shëndetësisë i është bashkuar edhe sindikata e QKMF-së dhe për 24 orë do të jenë në grevë, saktësisht deri nesër në orën 7:00 të mëngjesit.

“Grevës së shëndetësisë i është bashkuar edhe QKMF-ja në Gjilan. Greva zgjatë deri nesër në orën 7:00 të mëngjesit, ashtu edhe siç është paralajmëruar nga sindikata e shëndetësisë. QKMF-ja ka organizuar shërbimin dhe të gjithë punëtorët janë në vendin e punës dhe jepen shërbimet për të gjitha ato raste që janë urgjente. Do të thotë të gjitha rastet e rënda pranohen ndërsa rastet tjera më të lehta kthehen prapa. Pas vizitës që kisha në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjilanit, kam vërejtur se nuk ka probleme dhe gjithçka është në rregull. Ndërsa, edhe gjatë natës kujdestaria do të mbahet dhe punëtorët shëndetësor do të kryejnë shërbime për të gjitha rastet të cilat kanë urgjencë dhe të cilat patjetër duhet të marrin shërbimet mjekësore”, ka thënë ndër të tjerash Berisha./kokaj.net/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment