Gjilani shpallet komuna më e mirë në nivel Republike për shërbime publike dhe menaxhim të hapësirave të gjelbërta

16.06.2015 (komentet: 0)

 

 Asociacioni i Komunave të Kosovës, në kuadër të skemës BEACON (shkëmbimi i përvojave më të mira në mes të komunave në fushën e shërbimeve publike) dhe në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ, ka zgjedhur sot Gjilanin si Komunën më të mirë në shërbime publike dhe menaxhim të hapësirave të gjelbra në nivel të Republikës.

 

Çmimin e ka pranuar sot në ceremoninë në Prishtinë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nga udhëheqësi i Programit të GIZ “Modernizimi i Shërbimeve Komunale”, Kai Hoffmann.

Kryetari Haziri pasi ka falënderuar Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe organizatën GIZ për vlerësimin e dhënë, tha se ky çmim është edhe një motiv shtesë për të vazhduar me punë të mira në shërbim të qytetarëve të Gjilanit dhe në vazhdimin e krijimit të hapësirave gjelbëruese.

Kreu i gjilanasve pohoi se Komuna i ka kushtuar rëndësi shumë të madhe përmirësimit të këtyre sektorëve, sikurse edhe sektoreve tjera për t’iu shërbyer qytetarëve në mënyrën me të mirë.

Ndryshe, nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, Gjilani ka marrë disa çmime vendore e ndërkombëtare, ndërsa duhet përmendur se  javë më parë Komuna e Gjilanit ka marrë çmimin “The best City Model Award" nga IME, në panairin Ndërkombëtar "Investment Management Exhibition" që u mbajt në Cyrih të Zvicrës./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment