Gjilani ‘sefte’ në rajon, implementon projektin e punës në distancë “Prej Shpije”

15.09.2015 (komentet: 0)

 

Gjilan, 15 shtator 2015 – Sali Hasani, procesmbajtës në sekretarinë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që nga sot do të punoj në shtëpinë e tij, falë projektit të Komunës së Gjilanit për punën në distancë të emërtuar “Prej Shpije”.

 

Ky është projekti i parë i kësaj natyre në nivel vendi dhe rajon, e zyrtari Sali Hasani thotë se ndjehet i privilegjuar.

“Unë ndjehem si zyrtari më i privilegjuar i Gjilanit sepse po e filloj ta zbatoj një projekt të ri, atë të punës në distancë. Që nga sot, një zyre e shtëpisë sime është zyre e Kuvendit Komunal dhe të gjitha përgjegjësitë e mia do t’i kryej me përgjegjësi, elan dhe vullnet shumë të madh”, ka thënë Hasani në ceremoninë e hapjes së zyrës në shtëpinë e tij, në të cilën ka marrë pjesë edhe kryetari Lutfi Haziri dhe drejtori i Administratës, Nazim Gagica.

“Gjilani është Komunë model sa i përket aplikimit të metodave të punës në administratë. Është programi i katërt që ne po e aplikojmë për këto 18 muaj, programe këto jashtëzakonisht në interes të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, por edhe në interes të funksionalitetit”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se përparësia e këtij programi është se e mban të ‘okupuar’ në punë sërish tetë  orë zyrtarin në fjalë, por është shumë më fleksibil në atë se si e menagjon ditën.

“Profesori i gjuhës shqipe, Sali Hasani, i cili punon në sekretarinë e Kuvendit, është punëtori më i vjetër në shërbim civil, është zyrtari më i përgjegjshëm dhe është njëri prej autoriteteve, të cilin e kemi vendosur ta pilotojmë në këtë program të punës “Prej Shpije”. Kjo ndikon në realizimin e qind për qind të objektivave të punës sepse do të merret me procesverbale, që prodhohen nga Kuvendi. Ne besojmë shumë se menagjimi punëve nga Sali Hasani do të jetë model për të tjerët. Në kuadër të kësaj, këto shërbime që po i ofrojmë ne janë kryesisht ato që nuk kanë impakt apo nevojë të drejtpërdrejt të punës dhe orareve të punës fizikisht në objektet e Komunës së Gjilanit”, u shpreh Haziri.

Drejtori i Administratës, Nami Gagica, theksoi se ky është projekt i analizuar mirë dhe sot po e bëhet praktik me zyrtarin për procesmbajtës të Kuvendit.

“Sot po e implementojmë projektin “Tele-work” (puna në distancë) apo siç e kemi quajtur ne “Prej Shpije”, e që është projekti i parë në nivel të Kosovës, por edhe në rajon, i inicuar nga kryetari Lutfi Haziri. Ky është projekt i analizuar mirë dhe sot po e bëjmë praktik me zyrtarin për procesmbajtës të Kuvendit, Sali Hasani, i cili do të punojë prej shtëpisë. Kjo do të ketë ndikim edhe në koston e vetë zyrtarit, por edhe në koston e vetë Komunës. Ne i masim objektivat që i ka arritur zyrtari në fjalë nëpërmjet softwerëve”, ka thënë Gagica.

Në bazë të këtij projekti, Komuna ka paraparë që deri në fund të këtij viti, pjesë e “Tele-work” të jenë 10 zyrtarë komunal, për të vazhduar në të ardhmen edhe me të tjerë.

Ndryshe, me iniciativën e kryetarit Haziri, Komuna e Gjilanit e ka implementuar për herë të parë në nivel vendi edhe projektin për nxjerrjen e çertifikatave online, sikurse edhe projektin e zyrave të hapura “One Stop Shop”./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment