Gjilani qëndron më mirë se komunat tjera në prokurim

19.03.2015 (komentet: 0)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar të enjten raportin e monitorimit në prokurimit publik në Komunën e Gjilanit. Në përgjithësi, Komuna e Gjilanit ka menaxhuar mirë me paranë publike, derisa vërejtjet kishin të bënin kryesisht me disa tenderë, që janë lidhur me çmim shumë të ultë dhe kjo nuk garanton cilësi.   

 

Diellëza Xhemaili (KDI) i ka nënvizuar tre tenderë me probleme, nga 79 aktivitete të prokurimit, sa janë zhvilluar gjatë vitit 2014. Sipas KDI-së, bëhet fjalë për kontratën për furnizim me derivate për vetura dhe gjeneratorë dhe kontratën për furnizim me naftë për ngrohje, që kanë çmim shumë të ulët, pastaj kontratën për ndërtimin e trotuarit me kubëza betoni, që po ashtu është me çmim të ultë dhe rrezikon që punët të mos kryhen në mënyrë cilësore si dhe tenderin për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, të cilin e ka fituar i njëjti operator, në të dy pjesët, por me një dallim të theksuar në çmim.   

Si element pozitiv në prokurim, Xhemaili ka përmendur faktin se Komuna e Gjilanit ka lejuar qasje të plotë në dokumentacionin, sikurse është treguar shumë profesionale edhe në hartimin e dosjeve të tenderëve. Në përgjithësi, në Gjilan nuk janë hasur probleme sikurse në katër komunat tjera, të cilat janë montuar nga KDI-ja.

Salih Kqiku, menaxher i Zyrës së Prokurimit, ka thënë se Komuna ka evidentuar këto çmime të ulëta, mirëpo ka marrë garanci nga operatorët ekonomikë se punët do të kryhen në përputhje me kontratën e nënshkruar.

Ai ka sqaruar se te tenderi i furnizimit me derivate, çmimi ka qenë shumë më i ultë, sepse operatori është arsyetuar se është furnizues i vetëm dhe ai i ka interesat e veta prej rabatit.

Sa i përket tenderit për ndërtimin e trotuarit, ku kishte vërejtje për vlerën e ultë, Kqiku ka thënë se operatorit i ka konvenuar ky çmim.

Ndërkaq, te mirëmbajtja dimërore e rrugëve, ai ka sqaruar se për shkak të ankesave dhe nevojës për rishpallje të tenderit, procedurat kanë zgjatur më tepër. Derisa është bërë zgjedhja e operatorit dhe është nënshkruar kontrata me të, është dashur të bëhet një ftesë për kuotim, për të mos pasur vonesa në mirëmbajtjen e rrugëve,  ka thënë Kqiku.

Disa defekte në prokurim i kanë identifikuar edhe përfaqësuesit e opozitës, Sahit Abazi e Riad Rashiti (PDK), Nevzad Isufi e Fehmi Sylejmani (VV), pastaj Adelina Sylejmani e Shaban Terziu nga shoqëria civile dhe të tjerë.

Kthehu mbrapa

Shto koment