Gjilani precizon detajet e faljes së borxheve për bizneset

16.11.2015 (komentet: 0)

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, i shoqëruar edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, Urbanizmit dhe ai i Prokurimit, në një konferencë për media, ka thënë se në bazë të ligjit për falje të borxheve, Komuna e Gjilanit pret që bizneset të cilat kanë borxhe, të identifikojnë borxhin në DZHE, e më pas me shkrim të bëhet kërkesa për falje të borxhit që është grumbulluar deri në vitin 2008.


Me këtë rast, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, ka ftuar të gjitha bizneset që të drejtohen në zyrat e kësaj drejtorie, për të identifikuar obligimet ndaj taksës komunale deri në vitin 2008.

“Ftoj të gjithë përfaqësuesit e bizneseve që të vijnë në zyrat e drejtorisë sonë, për të identifikuar obligimet e grumbulluara deri në vitin 2008, e më pas të bëjnë kërkesën për faljen e borxheve në formën zyrtare. Borxhet që do të falen deri më 31 dhjetor 2008 për bizneset në Gjilan dhe kapin shumën e 1,686,253.97 euro, ndërsa pjesa e obligimeve që mbeten deri në fund të vitit 2014 në kategorinë e subjekteve juridike është 139,021.64 euro”, ka thënë drejtori Zuzaku, duke apeluar që të gjithë të afrohen në këtë drejtori dhe të bëhet lëvizje përpara, ngase borxhet e mbetura janë shumë të vogëla në krahasim me shumën që falet prej rreth 1.7 milionë euro.

Ndryshe, dokumentet e nevojshme për të bërë kërkesë në Qendrën për Shërbime të Qytetarëve, për shlyerje të obligimeve deri më 31 dhjetor 2008, janë kopja e letërnjoftimit, certifikata e biznesit, certifikata e numrit fiskal, por edhe dëshmia për pagesën e obligimeve prej 1 janar  2009.

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik gjendet në qendër të qytetit, ndërtesa e ish-ekzekutivit, kati i parë.

Kthehu mbrapa

Shto koment