Gjilani përmbyllë Javën e Evropës me konferencën “Roli i MSA-së dhe liberalizimi i vizave në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve” Inbox x

21.05.2016 (komentet: 0)

Me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nën organizimin Zyrës për Integrime Evropiane dhe Qendrës Kosovare për Diplomaci, sot është mbajtur në Gjilan konferenca “Roli i MSA-së dhe liberalizimi i vizave në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të ndryshëm të institucioneve qeverisëse në nivelin lokal, përfaqësues të OJQ-ve, përfaqësues nga niveli akademik i Universitetit “Kadri Zeka”, përfaqësues të Policisë së Kosovës etj., të cilët këtë hap e kanë konsideruar mundësi të madhe për shtetin e Kosovës drejtë integrimeve dhe zhvillimit.

 

 

Me këtë rast, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit hapjen e kësaj konference e ka bërë, këshilltari i kryetarit për investime të jashtme, Faton Bislimi, i cili ka potencuar se Gjilani është model dhe shembull i mirë në të gjitha aktivitetet se si duhet të orientohet angazhimi drejt integrimeve.

 

“Organizime të tilla, konferenca të këtij niveli dhe debate të ndryshme janë ndihmuese dhe të domosdoshme në këtë proces por edhe në të ardhmen e integrimeve të mëtutjeshme. Gjilani është dhe po merret shembull i mirë në shumë aspekte si në atë të bashkëpunimit dhe tolerancës në mes të komuniteteve të ndryshme etnike që jetojnë në Gjilan, tolerancës fetare, nivelin e lartë të sigurisë publike, arsimit bazik dhe atij universitar, e deri edhe tek angazhimi maksimal për zhvillim dhe integrim të plotë në BE. MSA, dhe liberalizimi i vizave është një derë e madhe e cila qytetarit të Kosovës, pos lëvizjes së lirë, do t’i siguroj edhe zhvillim ekonomik, hapje të tregut me botën, rritje të cilësisë në të gjitha fushat e zhvillimit dhe kështu në vitet e ardhshme shteti i Kosovës do të ketë të njejtin nivel të ecjes përpara në aspektin politik, ekonomik por edhe aspekte të tjera, sikur edhe vendet tjera të rajonit dhe më gjerë”, ka potencuar ai në fjalën e tij.

 

Ndërsa nga ana e tij Burim Elezi, zyrtar për Integrime Evropiane, ka thënë se për dy vjet me radhë Java e Evropës po organizohet në Gjilan, falë mbështetjes së fuqishme të kryetarit Haziri.

 

“Për këto dy vjet me radhë, falë mbështetjes së kryetarit të Komunës çdo herë është organizuar Java e Evropës, gjithnjë me pretendimin e përgatitjeve më të mëdha për integrime në BE. MSA dhe liberalizimi i vizave është një rrugë e fuqishme që do t’i hapë rrugën e vërtetë të gjithë qytetarëve të Kosovës që të jenë vërtetë në Evropë në të gjitha fushat, duke nisur nga aspekti politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor”, potencoi në paraqitjen e tij Burim Elezi.

 

Nga ana e tij, Vëllaznim Leka, prorektor në Universitetin “Kadri Zeka”, ka thënë se përfitimi i shtetit të Kosovës me MSA-në dhe liberalizimin e vizave është i shumanshëm, por me theks të vaçantë, ai ka potencuar ndihmën që do ta marrë Kosova në aspektin politik, duke qenë e barabartë me vendet e rajonit në rrugën e integrimeve, pastaj në aspektin juridik, duke përgatitur infrastrukturën ligjore në kuadër të kritereve të kërkuara nga BE.

 

Ndërsa, profesori universitar, Flamur Hyseni, ka thënë se gjendja e Kosovës në aspektin e mirëqenies do të stabilizohet gjatë të ardhmes përmes mundësive më të mëdha edhe pse është një rrugë e gjatë, sipas tij, me shumë sfida dhe përfitime të mëdha politike dhe ekonomike.

 

Ndërsa dekani i shkencave kompjuterike, Xhevdet Thaçi, ka thënë se shteti i Kosovës i krijuar zyrtarisht në vitin 2008, ka bërë lëvizje jashtzakonisht të mëdha dhe me hapa të shpejtë.

 

Gjithashtu, në shoqërinë tone, sipas tij, pas liberalizimit do të ndodhë edhe kultivimi i kulturës evropiane këtu, duke përfshirë dominimin e formalitetit nga informaliteti, etj.

 

Gjithashtu në këtë konferencë kanë kontribuar edhe drejtori i shëndetësisë Nexhat Hajrullahu, profesori Ismet Azizi, dhe të tjerë.​

 

Kthehu mbrapa

Shto koment