Gjilani organizon mbledhje komemorative në nderim të veprimtarit Gani Hajrullahu

11.07.2016 (komentet: 0)

Me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare të Gani Hajrullahut, si brezi i dytë i lidhjes së ngushtë familjare me heroin kombëtar Mulla Idriz Gjilanin, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka organizuar mbledhje komemorative në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për veprën e pandalur në rrugën kombëtare për tashmë të ndjerin, Gani Hajrullahu.

 

 

Në fjalën e tij kryetari Haziri, ka ndarë me të pranishmit kujtimet që kishte gjatë kohës sa e kishte njohur Ganiun, këshillat e shumta që ka lënë, angazhimin e bërë për çështjen kombëtare, përkushtimin e vazhdueshëm për familjen, vështirësitë e mëdha të persekutimit nga regjimi i kohës e deri tek vullneti i tij i madh dhe krenaria për të ecur përpara.

 

“Gani Hajrullahu është njeriu, i cili, një jetë të tërë ia kushtoi rezistencës. Duke qenë nga familja e Mulla Idriz Gjilanit, heroit të kombit, gjithnjë aty ishin të pranishme torturat, persekutimet, burgosjet, deri edhe në masakrim të Mulla Idrizit dhe familjarëve të vet, natyrisht që aspak nuk ka qenë e lehtë të mbijetohet nga planifikimet e regjimit të kohës. Baca Gani, si i ri, së bashku edhe me shumë të tjerë, u detyrua të marr rrugët e gurbetit, për të gjetur mundësi të tjera për të punuar dhe mbajtur familjen. Ai ishte simbolika dhe sinonimi i njërit ndër qytetarët e vërtetë të Gjilanit. Ai dallohej me respektin për familjen, për shtetin dhe kombin. Kujtimi dhe kujtesa për të është tashmë amanet edhe për ne që e kemi njohur, por edhe për familjen njëkohësisht”, ka thënë kryetari Haziri.

 

“Këshillat e tij se si është organizuar jeta në kohë të vështira, se si është bërë rezistenca, se si është punuar për të mirën e vendit, se si është luftuar e keqja edhe brenda kombit dhe shoqërisë sonë, janë amanet si si të vazhdojmë tutje drejtë zhvillimit dhe ndërtimit të vendit, sepse njerëz si ai, dhe të gjeneratës së tij, janë ata që besimin në Zot dhe besimin në atdhe, e kishin gjithëherë luftë për liri dhe barazi. Komuna e Gjilanit duhet të tregoj kujdesin e vet për gjeneratën e dytë të heroit kombëtare Mulla Idriz Gjilanit. Këshilla më e mirë e tij në kujtimet e mia, me rastin e vdekjes së babait tim, ishte “Banu i fort dhe krenar për babën që ke pasë dhe mundohu mos me ‘korit’, punën që e ka bërë ai”. Sot unë të njejtën këshillë u jap djemve dhe familjes së tij, të bëheni krenarë dhe të fortë për babën që kishit dhe mundohuni mos ta zbehni punën e madhe që ai ka bërë dhe që është amanet”, ka përfunduar kryetari Haziri.

 

Kurse, nga ana e tij, Agim Velekinca, ka ndarë kujtimet me të pranishmit në këtë mbledhje komemorative për veprimtarin Gani Hajrullahun, duke thënë se karakteristikat e një burri me tipare shqiptare, fetare, qytetare dhe e kulturore, ishin të gjitha të ngërthyera në një vend dhe tek një personalitet siç ishte sipas tij Gani Hajullahu. Ai më tutje ndër të tjerash ka thënë se Gani Hajrullahu, pos tjerash për banorët e fshatit Velekincë ishte edhe simbol i fshatit, i urtësisë, i bujarisë, i guximit dhe vendosmërisë.

 

Në fund në emër të familjes, vajza e Ganiut, Naimja, e ka falënderuar kryetarin Haziri për organizimin e kësaj mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së këtij veprimtarit të çështjes kombëtare

Kthehu mbrapa

Shto koment