Gjilani në “dietë”

23.01.2014 (komentet: 0)

Qeverisja në Gjilan do të jetë në “dietë”, ngase kryetari i ri i Gjilanit, Lutfi Haziri, daljen nga borxhet e sheh vetëm nëpërmjet shkurtimit të harxhimeve të cilat ai i cilëson harxhime të luksit. Ai ka paralajmëruar edhe reduktime të drejtorive, ngase siç ka theksuar disa herë deri më tashti, ai ka gjetur borxhe e obligime në komunë, që kalojnë shumën e tetë milionë eurove.

Ndryshe nga Haziri, Qemajl Mustafa, ish-kryetar i Gjilanit thotë se kjo shumë është e ekzagjeruar dhe se nuk është aq e madhe, por se pranon që kryetarit të ri i kanë mbetur disa obligime, që sipas tij janë normale për një komunë.

Se borxhet janë të mëdha, sipas Hazirit, tregojnë edhe prerjet buxhetore dhe sipas tij borxhet janë mbi tetë milionë euro. Haziri paralajmëron një proces auditimi të pavarur për të konstatuar ligjshmërinë dhe rregullshmërinë e këtij obligimi financiar.

Haziri thotë se do të shihen edhe arsyet tjera se përse është shkaktuar kjo barrë financiare. I pari i komunës së Gjilanit pranon se do të jetë e vështirë që të paguhen të gjitha këto borxhe, andaj ai ka thënë se do të bëhet një plan servisimi i plotë, i cili në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të vendoset në binarë dhe do të niset kryerja e obligimeve.

Sipas Hazirit, kompanitë nuk janë pjesë e fajit, ngase ato kishin marrë punë si operatorë e Komuna gjithashtu do t’i shohë të gjitha problemet tjera që lidhen me kontratat, me organet mbikëqyrëse dhe me organet tjera që e mbikëqyrin një tender, sepse siç thekson Lutfi Haziri, ligji është i qartë dhe nuk lejon që të fillohen ndërtime, pa e pasur projektin e miratuar, pa e pasur zotimin e mjeteve dhe pa certifikatën e buxhetit, andaj edhe nuk guxon të bëhen pagesa apo edhe tejkalim të pagesave pa u kryer punët.

“Gjithçka do të del në shesh nga një auditim i pavarur, i cili do të merret me ligjshmërinë dhe konstatimin e gjendjes. Ajo që kemi gjetur është shqetësuese, konstatimi i këtij numri të madh të borxheve na shqetëson”, ka thënë Haziri, sipas të cilit në projektin e lumit Mirusha, gjatë pesë viteve nuk ka ndodhur asnjë kompensim i pronës.

Borxhet dy herë më të larta se të hyrat

Kreu i komunës së Gjilanit druan se këto borxhe do të ndikojnë në buxhetin komunal të Gjilanit, ngase siç thotë ai, të hyrat vetjake në Gjilan nuk janë më të mëdha se 3,5 milionë euro gjatë një viti, kurse borxhet tejkalojnë 8 milionë, andaj borxhet janë më shumë se dy vite buxhetore.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, thotë se është e pashmangshme ndërhyrja e qeverisë, e cila duhet t’i paguajë borxhet, ngase sipas tij, alternativë tjetër nuk ka.

“Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Financave me autoritetin e saj është dashur të ndërhyjë për të ndalë këtë trend të grumbullimit të borxheve, bile deri edhe në marrjen e certifikatës buxhetore apo edhe në masat ekstreme që i parasheh ligji. Nëse kjo nuk ka ndodhur, në mënyrë indirekte Ministria është bashkëborxhli me Komunën, ajo është pjesë përgjegjëse e barabartë në krijimin e këtyre borxheve”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.

Mustafa: Borxhet po ekzagjerohen

Qemajl Mustafa, ish-kryetar i Gjilanit, ka mohuar se ka lënë një gjendje të tillë në komunë, bile Mustafa thotë se pohimet se ai ka lënë tetë milionë euro borxhe janë rrenë e kulluar. Ai pohon se kryetari i ri po dëshiron që “punën e borxheve” ta përdorë si alibi dhe preventivë të hershme për dështimet,  të cilat patjetër e presin.

“Ky nuk ka çka i jep publikut të Gjilanit nga ai arsenal i madh premtimesh boshe që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore për punësime, për infrastrukturë e për zgjidhje të të gjitha aspekteve sociale të tyre” ka thënë ai. Sipas tij, e vërteta është krejt ndryshe, duke thënë se kur ai e ka dorëzuar komunën , në të gjitha kodet ka pasur rreth 2.4 milionë euro obligime, te investimet kapitale rreth një milionë euro, në mallra e shërbime rreth një milion dhe në shërbimet ndaj komunaleve e subvencioneve ka rreth 400 mijë euro.

Kthehu mbrapa

Shto koment