Gjilani kundër “Zajednicës”

05.09.2015 (komentet: 0)

 

Sot në Gjilan u mbajt tribunë lidhur me rrezikun dhe pasojat që do t’i ketë Kosova nga krijimi i “Zajednicës”. Këto pasoja do të jenë të pakthyeshme andaj aktivizimi qytetar për ndalimin e këtij procesi është i domosdoshëm. 

Tribunën e hapi deputeti Ismajl Kurteshi, i cili ndër të tjera foli për dëmet që “Zajednica” do t’ia shkaktojë Komunës së Gjilanit, duke e ndërlidhur këtë proces edhe me decentralizimin etnik që është bërë në këtë anë. Ai theksoi se Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, sa ishte Ministër i pushtetit lokal, bëri të pamundurën për ta realizuar decentralizimin, duke e dëmtuar kështu shumë Gjilanin dhe Anamoravën. “Në atë kohë, qytetarët e Gjilanit njëzëri kundërshtuan decentralizimin, duke e bërë edhe peticionin me 30.000 nënshkrimi. Më shumë se aq duhet të angazhohemi tani, për ta ndalur “Zajednicën”, këtë projekt serb që dëshiron ta ndajë Kosovën”, tha ndër të tjera Kurteshi.

 

Pas tij, fjalën e mori deputeti Salih Salihu, i cili foli për historikun e decentralizimit në Viti dhe në Anamoravë në përgjithësi. “Nga Vitia u nda Kllokoti. Komuna e Vitisë ka pësuar dëm të madh ekonomik për shkak se shumë resurse natyrore i takojnë tashmë Komunës së Kllokotit, përfshirë këtu Banjën e Kllokotit dhe Banjën “Nëna Naile”. Komuna e Kllokotit e ka edhe fushën më të mirë, përfshirë edhe dy lumenjtë që kalojnë nëpër të, që e bëjnë këtë tokë shumë të pëlleshme. Me formimin e “Zajednicës”, Kosova definitivisht do ta humb shansin për t’u zhvilluar, për shkak se shumica e resurseve të Kosovës mbesin nën menaxhimin e kësaj strukture”, tha ndër të tjera Salih Salihu.

 

Deputeti Albin Kurti para të pranishmëve foli në detaje për marrëveshjen e fundit. Ai tha se Gjilanit përmes decentralizimit mbi baza etnike iu mor çereku i territorit. “Përmes Zajednicës duan që me më pak se 10% serb, strukturat e Serbisë ta kontrollojnë rreth çerekun e territorit tonë. Decentralizimi ishte pjesa e parë e lojës së Serbisë. Pjesa e dytë është “Zajednica”. Qeveritë e Kosovës së pasluftës ose nuk e kanë ditur, ose nuk kanë dashur ta dinë që Kosovën po e shtynë në shtegun e Bosnjës. Bosnja është shtet që nuk është Republikë, e brenda e ka Republikën Serbe që nuk është shtet. Ngjashëm Kosovën Republikë duan ta lënë pa shtet përmes një “Zajednice” që nuk do të jetë në emërtim Republikë, por do të jetë më shtet sesa ai i Kosovës”, theksoi Kurti. Ai shtoi se përmes Zajednicës kufijtë e jashtëm të Kosovës do të jenë më të dobët sesa kufijtë e brendshëm. “Do të ketë shqiptarë shumicë në Kosovë, dhe shqiptarë pakicë në “Zajednicë”. Do të ketë shqiptarë që e pranojnë dhe promovojnë “Zajednicën”, dhe do të ketë shqiptarë që e kundërshtojnë e i rezistojnë asaj. Ne që e kundërshtojmë jemi shumicë, por duhet të bëhemi bashkë dhe t’iu tregojmë qeveritarëve që janë pakicë, ashtu që ta ndryshojmë gjendjen”, tha Kurti. Ai në fund argumentoi se pse “Zajednica” nuk është OJQ, pse është projekt etnik e racist, pse është antikushtetuese, si dhe i numëroi disa nga kompetencat e saja ekzekutive. “Gjilani dhe Anamorava, edhe historinë edhe të tashmen e kanë kundër “Zajednicën”, andaj të bëhemi bashkë të gjithë kundër “Zajednicës”, tash në aksione e tribuna, e më pas në protesta e demonstrata, sepse ashtu siç shkoi Jabllanoviqi, duhet të shkojë dhe do të shkojë edhe ‘Zajednica’”, tha në fund Kurti

 

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, tha se “Zajednica” është ndarje dhe thellim i ndarjes në Kosovës. “Nuk është veç ndarje horizontale, por e mbivendos “Zajednicën” për shumë aspekte mbi Kosovën. Me kompetencat e saja ajo ndërhynë në institucionet e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, asnjë institucion i Kosovës nuk mund ta shpërbëjë “Zajednicën”, për shkak se ajo si e tillë është më e fuqishme se vetë Republika e Kosovës. Me këtë “Zajednicë” varroset parimi i Republikës së Kosovës si shtet unitar, dhe në anën tjetër varroset parimi bazë i barazisë. Kur varrosen këto dy parime, nuk mbetet asgjë nga Republika”, tha Ymeri.

 

Duke folur për kompetencat ekzekutive të “Zajednicës”, Ymeri tha se ajo ka mbikëqyrje të plotë në të gjitha fushat si arsimi, shëndetësi, planifikimi urban e rural, zhvillimi ekonomik, e të tjera, e deri tek vendosja e komandantit rajonal të policisë si dhe buxheti i ndarë nga Republika e Kosovës. “Me territor, buxhet, ekzekutiv e legjislativ të ndarë, ajo do të funksionojë si një shtet autonom brenda Republikës së Kosovës”.

Kthehu mbrapa

Shto koment