Gjilani kërkon tërheqjen e vendimit të MASHT-it për anulim të testit të semimaturës

31.05.2016 (komentet: 0)

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë të thirrur për sot lidhur me anulimin e testit të arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta, nga ana e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë,e ka vlerësuar si vendim të paargumentuar, tendencioz dhe me arsyetime të paqëndrueshme.

 

 

Me këtë rast, drejtori Nazmi Musa, ka potencuar se është kundër këtij vendimi, sikur që kundër janë edhe të gjithë drejtorët e shkollave në Gjilan, duke shtuar se baza e thirrur e këtij vendimi është e paqëndrueshme.

 

“Pas takimit me drejtorët e shkollave të mbajtur sot, po sjellë shqetësimin e DKA-së dhe të drejtorëve të shkollave, lidhur me vendimin e nxjerrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ky vendim është tendencioz, i paargumentuar, me arsyetime të vogla dhe është vendim i nxjerrë pas publikimit të rezultateve. Kjo na brengosë të gjithëve, sepse gjithnjë po angazhohemi në ngritje të cilësisë. Viti 2016 është shpallur vit i cilësisë në Kosovë nga vet ministri, prandaj nuk duhet që dikë ta ‘trishtojnë’, rezultatet e nxënësve të Komunës së Gjilanit”, ka thënë Musa në fjalën e tij.

 

Se ky është vendim i njëanshëm, drejtori Musa ka elaboruar më shumë këtë proces të testimit, duke pohuar se deri në publikimin e vendimit për anulim, nuk ka asnjë vërejtje.

 

“1856 nxënës të nënshtruar në test, me gjithsej 80 paralele shqiptare dhe 2 paralele turke, në shtatë qendra të organizuara, nën monitorimin e 193 administruesve, 21 komisionerëve, janë këto fakte ajo që na shtyn ta komentojmë këtë vendim si tendencioz. Fat shumë i madh dhe argument është ajo se në asnjë proces të nënshkruar pas përfundimit të testit të nxënësve, në aspektin e rregullësisë, nuk kemi gjetur asnjë test të kategorizuar si të parregullt, apo me vërejtje dhe keqpërdorime. Nuk ka, poashtu, asnjë anulim gjatë procesit të testimit dhe nuk kemi vërejtje as edhe ndaj administruesve apo komisionerëve. Prandaj, lind pyetja në çka është bazuar ky komision nga MASHT?!”, theksoi drejtori Musa.

 

Drejtori Nazmi Musa ka thënë se nga rezultatet e publikuara del që “testi i arritshmërisë ka shënuar rritje normale nga viti i kaluar dhe niveli i kalueshmërisë në këtë vit është 78.53 për qind, nga ai që ishte 74.75 për qind në vitin 2015. Kjo është krejtë normale, sepse investimi në ngritje të cilësisë në arsim dhe donacione të shumta të derdhura në shkolla, qëllim normalisht që kanë ngritjen e nivelit të suksesit të nxënësve dhe cilësi në përgjithësi në arsim”, ka pohuar Musa.

 

Drejtori i Arsimit në Gjilan ka kërkuar nga ministry Bajrami që ta tërheq këtë vendim sepse, siç tha, kjo është e papranueshme nga DKA, nga shkollat, por edhe nga nxënësit dhe prindërit e tyre.

 

“Kërkesa jonë është që ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, të tërheqë këtë vendim, sepse ky është i papranueshëm nga ne si Drejtori, nga shkollat, por edhe nga nxënësit dhe prindërit e tyre, sepse po maltretohen nxënësit dhe po dënohen”, ka pohuar Musa, duke thënë se nuk mban përgjegjësinë që të ftoj edhe njëherë nxënësit dhe mësimdhënësit për përsëritje të testit, ngase nuk ka argument për anulim të tij.

 

Ndryshe, sukseset e nxënësve nuk janë vetëm në këtë testim të arritshmërisë, por, rezultatet e nxënësve të Gjilanit i kanë bërë nderë gjithë Kosovës, me suksese në garat e ndryshme të nivelit republikan, atyre në nivel rajonal, por edhe në ato ndërkombëtare. ​

Kthehu mbrapa

Shto koment