Gjilani i paradokseve!

30.12.2014 (komentet: 0)

 
 

 

Gjilani mund të krenohet që i ka bërë nëntë doktorë të shkencave sportive, por duhet ulur kokën pasi po i shuhen klubet sportive, por edhe për gjendjen e keqe në klubet tjera sportive që janë aktive.

 

 

 

Se Gjilani i ka bërë nëntë doktorë të shkencave sportive kjo u bë e ditur sot në seancën e Kuvendit komunal të Gjilanit, kur anëtarit të këtij Kuvendi Arben Maliqit, zunë t’i vinin urimet nga kolegët e tij në Kuvend. Vet Maliqi ka bërë të ditur për doktoraturën e tij, për të shtuar edhe se tani bashkë me të, Gjilani mund të krenohet sepse janë bërë nëntë doktor të shkencave sportive.

 

Duke paradoksale, por derisa krenohemi me këtë të arritur, në anën tjetër duhet ulur kokën për shkak se po na shuhen klubet sportive, e ka të tilla që janë aktiv me “çyk të zorit’ dhe të atillë që kanë paralajmëruar se mund t’i pret fati i klubeve të shuara nëse nuk ndihmohen.

 

Pra Gjilan ka nëntë doktorë të shkencave sportive, por ka zyrtarë sportiv për “marre’, ka pas dhe ka drejtues të këtij segmenti që asnjëherë deri më tani, nuk e kanë gjetur zgjidhjen e duhur për këtë fushë. Ka pastaj edhe drejtues klubesh që nuk vijnë nga fusha e Kulturës fizike, apo edhe që atë e kanë kryer më pas, sikundër që kemi infrastrukturë për mjerim. E kemi një fushë ndihmëse që përkundër që kemi donacion për të, “do ti dalin brinat” deri sa të kryhet, e po ashtu edhe një Palestër të Sporteve që “viron’ o jashtë, ‘viron’ brenda. Një sallë që paramendoni, për rekuizitë ka edhe kovën, e cila, boni ra shi, mos qeshni, është tejet e domosdoshme...!

 

Këtij viti po ia vëmë çelësin e do të presim, të shohim se si do të jetë më 2015, qasja e zyrtarëve përgjegjës të kësaj fushe dhe kontributi i këtyre doktorëve të shkencave sportive, për të avancuar këtë segment tejet të rëndësishëm të shoqërisë. Për momentin, Gjilani është pra ky, një qytet i paradokseve kur është në pyetje sporti! /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment