Gjilani gradualisht po i heq vadat

20.04.2015 (komentet: 0)

 

 Komuna e Gjilanit po vazhdon t’i kryej me sukses projektet e parapara infrastrukturore për vitin 2015. Një projekt shumë i rëndësishëm i kanalizimit atmosferik është duke u punuar sipas standardeve më të larta në lagjen “Arbëria” dhe për pak kohë pritet të përfundojë.

 

Punimet i ka vizituar sot nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili shoqërohej nga drejtori i Shërbimeve Publike, Sokol Haziri me bashkëpunëtorë.

Kadriu është ndarë i kënaqur me cilësinë e punimeve aty, ndërsa tha se katërshja e madhe e prioriteteve të kryetarit Haziri në infrastrukturë po realizohet me sukses, duke shtuar se shumë shpejt lagjes “Arbëria” do t’ia largojnë vadat.

“Ne po vazhdojmë punët në ndërtimin e kanalizimeve dhe sipas të gjitha gjasave do t’i largojmë shumë shpejt vadat nga lagjja “Arbëria”. Ky është një projekt jashtëzakonisht i madh dhe në mirëkuptim të plotë me pronarin e kësaj prone po përfundohet pa probleme”, ka thënë nënkryetari Kadriu.

Ai ka theksuar se tashmë me përmirësimin e kushteve atmosferike do të vazhdohet me punë të mëdha në infrastrukturë: rrugë, kanalizim, ujësjellës, trotuare etj., ndërsa ka shtuar se pritet që nga muaji maj Gjilani të shndërrohet në kantier ndërtimi.

Projekti nga lagjja “Arbëria” e deri tek lumi “Mirusha” ka një gjatësi prej 1300 metrash me një kosto prej 201 mijë euro.

Kthehu mbrapa

Shto koment