Gjilani dhe “Save the Children”, marrëveshje bashkëpunimi për asamblenë e fëmijëve

27.04.2015 (komentet: 0)

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, së bashku me drejtorin e administratës së përgjithshme, Nazim Gagica, kanë formalizuar marrëveshjen e bashkëpunimit në emër të Komunës së Gjilanit me organizatën “Save the Children”, për mbështetjen, përkrahjen dhe aktivitetet e tjera të Asamblesë së fëmijëve të shkollave të komunës së Gjilanit.

Me këtë rast nënkryetari Kadriu ka thënë se Komuna e Gjilanit është mbështetëse e projektit “Përmbushja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë” dhe do të jetë një mbështetëse e fuqishme e funksionimit të asamblesë së fëmijëve në përgjithësi.

 

“Komuna e Gjilanit mbështet projektin “Përmbushja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë”, që në kuadër të saj parashihen aktivitete të ndryshme në vetëdijesimin, informimin dhe nxitjen e fëmijëve që të jenë pjesë e zgjedhjes në asamblenë e fëmijëve, por edhe mbështetëse në zgjidhjen e problemeve që ata mund të adresojnë. Poashtu pos drejtorisë së Arsimit dhe të Administratës së Përgjithshme, është mbështetëse edhe Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe institucione të tjera në nivelin lokal” ka thënë Kadriu.

 

Ndryshe Asambleja e Fëmijëve është e obliguar që brenda muajit të mbaj të paktën një takim, që për këtë do të ketë mbështetjen e Komunës së Gjilanit në të gjitha aspektet.

Kthehu mbrapa

Shto koment