Gjilan: Tash e 15 vjet nuk u rregullua shtrati i lumit

01.07.2015 (komentet: 0)

Kundërmimi që vjen nga ujërat e zeza që po derdhen në lumin Mirusha qe tri – katër dekada po shkon duke u shtuar. Në të gjitha fushatat elektorale, ky projekt jetik për qytetarët e Gjilanit, vendosej në prioritetet e subjekteve politike. Por, në dy mandatet e PDK-së dhe në këtë mandat të tretë të LDK-së, problemi i quajtur lumi Mirusha nuk është zgjidhur.

 

PDK-ja edhe pse shpenzoi 2-3 milionë euro, kryesisht në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit, e cila për këto 2-3 vite është shkatërruar shumë, nuk e zvogëloi kundërmimin e lumit-kanalizim, dhe as nuk e zvogëloi rrezikun e përhapjes së infeksionit nga ndotja e lumit.

 

LDK-ja përveç fjalëve të mëdha, vitin e kaluar i ka shpenzuar edhe rreth 150 mijë euro, por problemi ka mbetur i pazgjidhur. Kurse sivjet, edhe pse ka kaluar gjysma e vitit, pushtetarët nuk kanë ndërmarrë as një veprim në këtë drejtim. Përveç numrit të madh të minjve në këtë zonë, tani banorët po rrezikohen edhe nga gjarpërinjtë. Po ashtu, rreziku për përhapjen e infeksionit po rritet.

 

Banorët e lagjeve që jetojnë përreth lumit Mirusha, po jetojnë në mes të premtimeve për rregullimin e shtratit të lumit dhe kundërmimit të përhershëm, tash e 15 vite. Ata kërkojnë zgjidhje të problemit dhe jo më arsyetime për mungesë mjetesh, sepse jemi të bindur se mungesa e vullnetit për ta zgjidhur këtë problem është pengës më e madhe se mungesa e mjeteve.

 

Kryetari i Gjilanit, më në fund, duhet të fillojë të merret me Gjilanin dhe problemet e Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment