Gjilan: Manifestojmë për Republikën, kundër copëtimit të shtetit

10.12.2015 (komentet: 0)

Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare në Gjilan i kanë bërë të gjitha përgatitjet ashtu që manifestimi i datës 12 dhjetor të jetë masiv dhe dinjitoz.
 


Qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës vazhdimisht i kanë kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Republikën e Kosovës. Kjo pjesë e Kosovës, është prekur më së shumti nga decentralizimi etnik, për të cilin na thoshin se është kompromisi i dhimbshëm i fundit, e që doli të jetë vecc kaparja për “Zajednicën”. Po ashtu, banorët e kësaj pjesë i kanë parë për së afërmi gabimet e Qeverisë së Kosovës në demarkacionin me Maqedoninë. Prandaj, qytetarët e Anamoravës nuk do të lejojnë që të shumfishohen këto dëme, as përmes “Zajednicës”, e as përmes demarkacionit me Malin e Zi.
 
Marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë, dhe marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, duhet të tërhiqen menjëherë. Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon ta bëj një gjë të tillë, atëherë le t’i hedhë marrëveshjet në referendum, dhe le të vendosë populli i Kosovës për to. Nëse Qeveria nuk guxon as të organizojë referendum, atëherë duhet që vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje.

Të shtunën, më 12 dhjetor 2015, në orën 13:00, iu bëjmë thirrje qytetarëve që në sheshin para Teatrit të Qytetit në Gjilan të manifestojmë kundër “Zajednicës”, të manifestojmë kundër demarkacionit me Malin e Zi, të manifestojmë për Republikën. Do ta shprehim masivisht, vullnetin e qytetarëve të Anamoravës për një shtet sovran e funksional.

 
10 dhjetor 2015
Opozita e bashkuar - Gjilan

Kthehu mbrapa

Shto koment