Gjilan: Defekte të shumta në arsim

24.04.2015 (komentet: 0)

 

 

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan mbajti sot konferencë për media lidhur me arsimin në këtë Komunë, që po vazhdon të përballët me shumë dobësi, lëshime, dhe defekte që ndikojnë negativisht në zhvillimin e gjithëmbarshëm të këtij sektori.

 

 

Duke folur për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave, asamblisti Fehmi Sylejmani dhe se ky pushtet në fillim të muajit mars bërë emërime në këto pozita, si dhe ka bërë transferime të drejtorëve nga një shkollë në tjetrën pa kurrfarë respektimi të procedurave dhe dispozitave ligjore. “Shkelja më drastike vazhdon të jetë e pranishme me rastin e përbërjes së Komisionit Intervistues për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Pika 2 e nenit 3, të udhëzimit Administrativ të MASHTI 08/2014 për procedurat e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në institucione edukativo arsimore aftësuese thotë qartë: Anëtarët e Komisioni Intervistues duhet të kenë të përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim ose menaxhim, kurse pika 2.4 thotë: Anëtarët e Komisionit nuk mund të jenë të emëruarit politik. Pikërisht janë këto dy pika të këtij udhëzimi administrativ që janë shkelur, për faktin se njëri nga tre anëtarët e Panelit Intervistues nuk e posedon trajnimin për udhëheqje, kurse e tërë përbërja e Komisionit Intervistues është e përzgjedhur në baza partiake, që bie ndesh me pikën 2.4 të udhëzimit Administrativ”, tha ndër të tjera Sylejmani, duke shtuar se janë mbi 50 punëtorë të punësuar pa u shpallur fare konkursi, që nënkupton që 50 herë është shkelur ligji. Ai më tej foli edhe për numrin e madh të mungesave të paarsyeshme tek nxënësit e shkollave të mesme; për kurset e shumta private që i mbajnë arsimtarët me nxënësit e tyre; mungesat e shumta të mësimdhënësve në oraret e punës; pagesat e pabarabartë mes punëtorëve teknikë nëpër shkolla, që kryejnë punën e njëjtë; e të ngjashme.

 

Remzi Baliu, anëtar i Nënkomitetit për Arsim në Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, tha se është bërë centralizimi i plotë i institucioneve arsimore në aspektin e menaxhimit të financave të shkollave. “Decentralizimi dhe bartja e kompetencave tek shkollat ka filluar qysh në vitin 2010 duke u bazuar në udhëzime administrative dhe strategjitë arsimore. Sot drejtorët e shkollave sorollaten nëpër zyrë të Drejtorisë së Arsimit pa nevojë për të marrë një nënshkrim të vetëm për të blerë mbase gjëra më elementare për shkollë. Ndërsa, sa i përket furnizimit të shkollave me material harxhues për zyre dhe nevojat tjera, ka rreth 3 muaj që Komuna është duke neglizhuar dhe vonuar procesin e përzgjedhjes së kompanisë për furnizim me material shkollor. Ne mendojmë se pa kurrfarë arsye është anuluar tenderi i mëhershëm, i cili ka qëllime politike. Si rezultat i këtij prolongimi të moszgjedhjes së kompanisë furnizuese, sot shumë shkolla kanë mungesë dhe telashe për gjërat më elementare, siç janë shkumësat, letrat, dhe tonerat. Dhe secila prej këtyre gjërave elementare e kë rëndësinë e vet në shkollë dhe nuk do koment asnjëra”, theksoi Baliu.



Kthehu mbrapa

Shto koment