VV uron Kurban Bajramin!

03.10.2014 (komentet: 0)

 

Festa e Kurban Bajramit është një ditë e shënuar për besimtarët myslimanë. Kjo ditë përcjell një mesazh universal, në njërën anë gatishmëria e njeriut për sakrificën më madhore në emër të idealit, në anën tjetër mesazhi hyjnor i cili e ndalon sakrifikimin e fëmijës, i cili simbolizon të ardhmen. Asnjë njeri, sado i pushtetshëm të jetë në tokë, nuk e ka të drejtën dhe justifikimin që të sakrifikojë të ardhmen e shumicës. Ky mesazh do të duhet të sillte reflektim edhe në politikanët tanë.

 

Kurban Bajrami festohet gjithnjë me gosti, e kjo festë shënon dëshirën komunitare për një të ardhme në harmoni e në prosperitet. E në të njëjtën kohë shënon vëmendjen për ata, gostia e të cilëve është më e varfër. Vëmendja edhe ndihma e shoqërisë duhet të drejtohet tek ata, siç thuhet edhe në mesazhin e fesë myslimane.

Në të njëjtën kohë Kurban Bajrami, si të gjitha festat fetare, është një moment kur shqiptarët kanë festuar dhe festojnë së bashku me bashkëatdhetarët e tyre të feve të tjera, duke përforcuar kështu traditën e kahmotshme të bashkëjetesës e të mospranimit të ndarjeve identitare të imponuara nga jashtë. Ky mesazh universal është një nga kontributet që shoqëria jonë ia bën vetvetes dhe botës. Ne urojmë që fryma e kësaj bashkëjetese të reflektohet edhe në aspekte të tjera, sidomos në ato të solidaritetit ekonomiko-social të shoqërisë e të kombit tonë.

 

3 tetor 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kthehu mbrapa

Shto koment