Fëmijët me nevoja të veçanta në Gjilan marrin dhurata në prag të ndërrimit të moteve

14.12.2015 (komentet: 0)

Fëmijët me nevoja të veçanta të shkollave fillore në Gjilan, kanë marrë dhurata festive të cilat ishin donacion nga bashkëatdhetarja jonë Minevere Korqa, që jeton dhe punon në Amerikë, e cila u shoqërua nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku - Rexhepi.


Me këtë rast kryesuesja Bunjaku – Rexhepi, ka falënderuar donatoren për këtë gjest human duke thënë se dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta të cilët janë pjesë e shoqërisë sonë, është dhurata më me vlerë.

“Falënderim i veçantë për donatoren Minevere Korqa, e cila ka zgjedhur që në prag të festave të fundvitit t’i gëzoj fëmijët në Gjilan. Ne kemi dhënë propozimin që të gëzohen fëmijët që më së shumti meritojnë gëzimin dhe përkujdesjen tonë. Ata janë fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët pas pranimit të këtyre dhuratave simbolike ishin falënderues me një sinçeritet që na bënë të kthehemi përherë pranë tyre me përkrahje të vazhdueshme në forma të ndryshme. Jam shumë e gëzuar që pjesa më e madhe e tyre kanë shënuar hapa pozitiv drejtë integrimit përkrah shokëve dhe shoqeve të tyre në klasa të rregullta në shkollat fillore”, ka thënë Bunjaku – Rexhepi.

Ajo ka apeluar tek të gjithë qytetarët të cilët kanë mundësi dhe kushte të mira ekonomike, që të ndjekin shembujt e mirë dhe të jenë solidar me këta fëmijë, me familjet e tyre, por edhe me rastet dhe familjet që kanë kushte të rënda ekonomike dhe sociale sepse, siç tha, “përkujdesja ndaj këtyre rasteve është sprovë për ne”.

Kurse, Minevere Korqa, ka thënë se me të ardhur në Kosovë, ka zgjedhur që të jep një mbështetje për fëmijët që më së shumti kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes.

“Bashkëpunimi me Kuvendin e Komunës ka qenë shumë i mirë në gjetjen e këtyre rasteve. Uroj që të mos jetë ky rast i vetëm i mbështetjes. Dëshiroj që mbështetja dhe ndihma për rastet që kanë nevojë, të mos mungoj asnjëherë. Ka shumë njerëz në mesin tonë që mund të ndajnë nga pasuria e tyre, për t’i gëzuar fëmijët qoftë edhe për një moment të shkurtë. Të jemi human dhe solidar të gjithë ngapak, që edhe dikush tjetër të shijoj gëzimin dhe ta ketë në mendjen e vet, që ekzistojnë njerëz edhe jashtë familjes së tyre që mendojnë për ta”, tha ajo pos tjerash, duke uruar që raste të tilla të kemi sa më pak në shoqërinë tonë.

Ndryshe, sot është bërë shpërndarja e dhuratave në klasat e veçanta në shkollën “Rexhep Elmazi”, “Selami Hallaqi”, “Abaz Ajeti”, qendra për kujdesin ditor të fëmijëve “Pema” dhe do të vazhdoj në ditët në vijim edhe për nxënësit e shkollave të tjera që janë në këtë kategori.

Kthehu mbrapa

Shto koment