Faton Bislimi elaboron programin dhe merr përkrahje nga qytetarët

19.10.2013 (komentet: 0)

Faton Bislimi pati një takim dhe bashkëbisedim me banorët e lagjes Arbëria të qytetit me të cilët u diskutua për problemet e kësaj lagjeje dhe prioritetet e programit të Bislimit për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Ai iu premtoi këtyre banorëve se sfidat bazike me të cilat ata ende ballafaqohen do të jenë të harruara pas katër viteve të qeverisjes së tij, pasi që kërkesat e këtyre banorëve nuk janë asgjë më shumë se nevoja elementare për jetesë të dinjitetshme.


Bislimi mori mbështetje të plotë nga të pranishmit pasi që ata shprehën zhgënjimin e tyre të përgjithshëm me qeverisjen e deritanishme komunale. 

Bislimi takoi edhe një grup studentësh gjilanas me të cilët ndau pjesë të veçanta të programit të tij qeverisës. 

Bislimi u fokusua në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë gjilanas. “Ju jeni të përgatitur për të patur një karrierë profesionale. Jeni të aftë dhe të shkolluar. Ju jeni resursi më kryesor dhe më i vlefshëm i Gjilanit e Kosovës. Andaj, përkushtimi për të përmirësuar kushtet e studimeve, sistemin arsimor, dhe mbi të gjitha rritjen e mundësisë së punësimit për ju do të jetë i pa rezervë në qeverisjen time,” tha Bislimi. 

Bislimi ka shtuar se programi im për Zhvillim Profesional është një risi në kuadër të qeverisjes së ardhshme lokale të Gjilanit, diçka që nuk e ka bërë askush deri më tani për ju. “Ky program do t’ju mundësojë juve të sapodiplomuarve që të punësoheni në pozita profesionale në sektorin privat me subvencion apo stipendi të ofruar nga komuna. Kështu ju do të krijoni bazën e përvojës që mandej të punësoheni edhe në pozita tjera më të larta profesionale,” shtoi Bislimi, duke elaboruar tutje edhe rëndësinë e gjenerimit të një vendi të punës për zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik e shoqëror të komunës sonë. 

Nga studentët ai mori përkrahje maksimale dhe nga ta u kërkua që t’ua jep edhe një rast për një takim më madhështor me më shumë kolegë e kolege të tyre. Studentët u shprehën të vendosur që me 3 nëntor të marrin në duart e tyre fatin e vet, duke vendosur për një kryetar komune që përfaqëson të ardhmen dhe jo të kaluarën, për një kryetar komune që njeh më mire se secili tjerët brengat dhe sfidat e tyre. 

Në mbrëmje, Bislimi pati një takim miqësor edhe me kryesinë e “Skifterave” dhe vizitoi stadiumin e qytetit. “Unë besoj fuqishëm që ambasadorët më të mirë të Kosovës, e po ashtu edhe Gjilanit, janë sportistët tanë të mirënjohur. Prandaj, unë nuk do të kursehem në asnjë minuts për të punuar për renovimin e objektit të stadiumit të qytetit dhe përkrahjen institucionale për ekipet kryesore të sportit gjilanas dhe tifozerive të tyre,” tha Bislimi. 

Për të treguar përkushtimin e tij ndaj sportit dhe sportdashësve, ai iu ofroi Skifterave autobusin që të shtunën, më 19 tetor, do t’i bartë ata nga Gjilani për në Suharekë për të përcjellur ndeshjen e radhës së KF Gjilani në Suharekë. 

Kryesia e Skifterave u nda shumë e kënaqur më përkushtimin e Bislimit dhe programin e tij përkrahës për sportin dhe sportdashësit.

Kthehu mbrapa

Shto koment