Falsifikatori që punonte Hetues i Krimeve Ekonomike

01.05.2014 (komentet: 0)

Policor i Krimeve Ekonomike, por vetë ishte i dënuar për falsifikim të dokumentit zyrtar. Nexhat Pireva, djali i biznesmenit Shaban Pireva, përfitues tradicional i tenderëve publik dhe financues tradicional i fushatave të PDK’së, është suspenduar nën dyshimin se kishte ndërhyrë në procesin e shqyrtimit të një ankese që kishte të bënte me babanë e tij. Në Policinë e Kosovës, për faktin që një falsifikator me vulë të shtetit u punësua dhe avancuan në Polici, fajin ia hedhin UNMIK’ut.

​Falsifikatori që punonte Hetues i Krimeve EkonomikeVISAR DURIQI 

 

Nexhat Pireva, Polic Hetues i Krimeve Ekonomike për disa vite, kishte hetuar vepra penale të ndryshme, përfshirë këtu edhe falsifikimet. Për ironi, ai është vetë një i dënuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Në vitin 2001 ai ishte kapur nga Policia e UNMIK’ut duke vozitur një automjet me një patentë shofer të falsifikuar. Gjykata Komunale Gjilanit do ta shpallte fajtor po atë vit. U dënua me kusht, por ky veprim nuk i pëlqeu Pakurorit Publik i cili u ankua kundër këtij vendimi.

Gjykata e Qarkut në Gjilan më vonë do ta dënonte me 2 muaj burg. Në vendimin e Gjykatës së Qarkut thuhej se duhet të dënohet me burg efektiv, pasi që në atë kohë, sipas Gjykatës, ishte fortë i përhapur ky fenomen – i patentë shoferëve të falsifikuar.

Me gjithë që me vulë të shtetit ishte një falsifikator, Nexhat Pireva u punësua në Policinë e Kosovës. Ai edhe u avancua më vonë deri në pozitën e Hetuesit të Krimeve Ekonomike.

Nexhat Pireva punoi si Hetues Policor deri pak muaj më parë kur u suspendua bashkë me kolegun tij, Agron Beshirin, nën dyshimin se kishin shpërdoruar detyrën dhe kompetencat.

Siç merr vesh Express, ata ishin denoncuar nga një Zyrtar i Lartë i Ministrisë së Infrastrukturës (MI) pasi që në një proces shqyrtimi të një ankese ku përfshihej dhe kompania e babait të Nexhat Pireves, kompania ‘Magjistrala” në pronësi të Avdyl Pirevës, kishin ndërhyrë duke thirrur për intervistim policor njerëzit që duhej ta kryenin shqyrtimin e ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Kompania “Magjistrala” që merret me rregullimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, është përfitues e miliona eurove me tenderë publikë. Ajo është kontraktore tradicionale e tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës, por edhe në institucione tjera ku drejtojnë njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Magjistrala”po ashtu është donator tradicional i fushatave të PDK’së së Hashim Thaçit.

Sipas raporteve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), kompania gjilanase figuron si financuese e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet për vitet 2009, 2010 dhe 2012 me mbi 50 mijë euro. 

Për së paku dy vjet, duke e bërë këtë, ajo ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin e vendit sipas të cilit nuk lejohen më shumë se dhjetë mijë euro donacion nga një subjekt.

Në një aktakuzë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, aktualisht në gjykim, kjo kompani përmendet edhe për përfshirje në kurdisje të çmimeve.

Policia ia hedh fajin UNMIK'ut

Gazeta nuk ka mundur që të kontaktojë me dy të suspenduarit, Nexhat Pirevën e Agron Beshirin. Edhe Policia e Kosovës nuk ka dashur të komentoj, por vetëm ka konfirmuar suspendimin e tyre.

“Tani të njëjtit janë suspenduar nga detyra, nga Policia e Kosovës me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës”, thuhet në përgjigjet për Express të Zyrës për Informim të Policisë.

Në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar as se kur këta persona, secili prej tyre, janë pranuar në punë në Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK), nëse dihej për dënimin për falsifikim të Nexhat Pirevës, dhe kush e rekomandoi atë për avancim deri në pozitën e Hetuesit të Krimeve Ekonomike.

Në Polici krejt fajin për pranimin e Pirevës në këtë institucion, duke qenë i dënuar për falsifikim, ia hedhin UNIMIK’ut.

“Punonjësve të cilëve ju keni referuar ju, ju informojmë se të njëjtit janë inkuadruar në Policinë e Kosovës në kohën kur përgjegjës kanë qenë UNMIK-u, njëri është inkuadruar në vitin 2000 ndërsa tjetri në vitin 2003”, ”, thuhet në përgjigjet për Express të Zyrës për Informim të Policisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment