Është vënë themeli i shkollës në fshatin Shurdhan të Komunës së Gjilanit

18.06.2015 (komentet: 0)

 

Në fshatin Shurdhan të Komunës së Gjilanit, sot është vënë themeli i shkollës së mesme të ulët “Bajram Curri”, i cili financohet nga Komisioni Evropian, Komuna e Gjilanit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

 

Me këtë rast në këtë ngjarje ishin të pranishëm, nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu i shoqëruar nga drejtori i Arsimit dhe drejtor të tjerë të drejtorive komunale, nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, përfaqësuesi i MASHT-it dhe shumë të pranishëm të tjerë.

Në këtë vënie të themelit, nënkryetari Rexhep Kadriu, në emër të Komunës së Gjilanit dhe kryetarit Lutfi Haziri ka falënderuar Komisionin Evropian për këtë investim dhe investime të tjera që janë duke u bërë në Komunën e Gjilanit për të mirën e nxënësve, sportistëve, arsimit dhe mirëqenies së qytetarëve në përgjithësi.

“Falënderojmë partnerin tonë të këtij projekti dhe shumë projekteve e investimeve që janë duke u bërë në Komunën e Gjilanit. Kjo shkollë e cila ka nisur sot, do të jetë me standarde evropiane dhe nxënësit e kësaj shkolle do të vijojnë mësimet në hapësira krejt ndryshe nga ato që janë në shkollën e vjetër dhe shumë më të mira se deri më tani. Komuna e Gjilanit mirëpret dhe u rri pranë të gjithë investitorëve e posaçërisht Komisionit Evropian dhe donatorëve të tjerë të shumtë, të dëshmuar tashmë me investime konkrete në shumë fusha”, tha ndër të tjerash nënkryetari Kadriu.

Ndërsa, Christof Stock, shef Zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se kjo shkollë mundëson kushte më të mira për fëmijët e kësaj ane dhe ambient krejt ndryshe.

“Është kënaqësi e jona që ne kontribuojmë me investimet tona në këto vise rurale. Në këtë shkollë do të vijojnë mësimet nxënësit e gjashtë fshatrave. Kushtet dhe klasat do të jenë modern, duke përfshi këtu edhe laboratorë dhe bibliotekën e shkollës. Kjo shkollë është shkollë ekologjike dhe ngrohet përmes sistemit modern. Presim të takohemi edhe në hapje të kësaj shkolle e cila pritet të jetë e gatshme gjatë muajit tetor”, tha ai në fjalën e tij, duke përmendur projektet që janë në realizim, siç është stadiumi ndihmës dhe Biblioteka e qytetit.

Ndërsa në emër të drejtorisë Komunale të Arsimit një fjalë përshëndetëse dhe falënderimi ka dhënë edhe drejtori Nazmi Musa i cili ka falënderuar për këtë shkollë moderne dhe me standarde Europiane.

Ndërsa në fund nxënësit kanë bashkëbiseduar me shefin e zyrës së BE-së lidhur me shkollën dhe kushtet të cilat do t’i ketë kjo shkollë pas përfundimit./kokaj.net/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment