Ensar Kadriu: Gjendja e sigurisë në Gjilan është stabile

06.11.2015 (komentet: 0)

Në konferencën e mbajtur nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu, sot ka informuar për aktivitetet dhe punët që janë duke u bërë në fushën e sigurisë dhe marrjen e masave që është duke i bërë stafi i kësaj drejtorie për të krijuar ambient më të sigurtë për qytetarë.

 

 

Me këtë rast drejtori Kadriu, ka thënë se ky vit ka nisur me përballje të menaxhimit të gjendjes pas vërshimeve, që edhe përkundër kapaciteteve të kufizuara që kishin si drejtori kanë menaxhuar në mënyrë të kënaqshme situatën. 

“Ky vit, Gjilanin sikur edhe komunat e tjera, i ka përcjellur me reshje të mëdha të shiut, që ka kërkuar edhe angazhime të vazhdueshme për të ruajtur gjendjen stabile. Si Drejtori kemi pasur kapacitete të kufizuara, por përsëri është arritur që situata të mënaxhohet kënaqshëm. Kemi intervenuar nëpër shtëpi dhe oborre të ndryshme nëpër fshatra por edhe në qytet, në largimin e ujit duke u dalë në ndihmë qytetarëve tanë”, tha ai. 

Furnizimi me ujë të pijes në fshatrat dhe familjet e prekura nga reshjet e mëdha nuk ka munguar asnjëherë deri në normalizimin e kushteve atmosferike, ka njoftuar drejtori Kadriu. 

Ai ka thënë se si drejtori kanë hartuar planin e vlerësimit të rrezikut nga vërshimet të cilin komuna është duke implementuar në vazhdimësi. 

“Në planin që kemi, janë bërë vlerësimet rreziqet e mundshme nga shtëpitë e amortizuara e të pabanuara nga qytetarët dhe kjo vërehet kryesisht në lagjen “Abdullah Presheva”, por edhe lagje të tjera ku disa shtëpi pothuajse janë rrezuara. Ky plan poashtu është i orientuar edhe në hapjen e rrjedhave të lumenjëve dhe përrockave të cilat kanë mbushje natyrore, për shkak të hudhjes së mbetjeve të ndryshme dhe mbylljen e lumenjve dhe më vonë edhe daljen e tyre nga shtrati”, ka thënë Kadriu, duke potencuar se në bazë të këtij plani vlerësimet do të bëhen edhe në të ardhmen, sepse në të kundërtën rrezikohet jeta e qytetarëve. 

“Zjarret krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve të tjera, kanë shënuar një rënie dhe kjo vetëm falë vetëdijesimit dhe përgjegjesisë që kanë sot qytetarët e Gjilanit për ruajtjen e ambientit dhe të pasurisë private dhe shtetrore që ka Gjilani. Bashkëpunim shumë të madh kemi me të gjitha drejtoritë komunale por edhe me Policinë e Kosovës, me Forcat e Asrmatosura të Kosovës dhe me kompaninë “Hidromorava”, ka thënë ai ndër të tjerash. 

Ai ka pohuar se në këtë Drejtori kanë pranuar donacione me vlerë të madhe në modernizimin e makinerisë, që po mundësojnë edhe invervenime më të shpejta dhe të sakta. 

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim përmes bashkëqytetarëve tanë që punojnë në Zvicër të pajisen me disa mjete elementare (një automjet komandues, pompa për thithjen e ujit) si dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, një automjet profesional për fikjen e zjarreve fushore edhe me një automjet sulmues, mjete këto të cilat ngrisin kapacitetet intervenuese si dhe sigurojnë intervenime efikase dhe cilësore”, ka thënë drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim. 

“Në kuadër të vlerësimit të rrezikut nga shembja-rrëshqitja e dheut, është identifikuar një lokacion me rrezikshmëri të lartë në fshatin Dobërqan, i cili është mënjanuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, si dhe një rast tjetër ku shembja ka ndodh po ashtu në fshatin Dobërqan e që fal intervenimit janë mënjanuar pasojat e mëtutjeshme”, pohoi ai.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim ka thënë se kur merren parasyshë raportet zyrtare dhe gjendja faktike në Gjilan, vërehet se situata në Komunën e Gjilanit është stabile.

Drejtori Ensar Kadriu ka falënderuar gjithë stafin për angazhimin e treguar në ruajtjen dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët tanë.

Kthehu mbrapa

Shto koment