Edukimi i nxënësve duhet të bëhet përmes arsimimi

09.02.2016 (komentet: 0)

 

 Komiteti i Arsimit, në takimin e fundit, është njoftuar me investimet dhe shpenzimet e vitit 2015 në këtë sektor, ka diskutuar për dukuritë negative në shkolla si dhe i ka dhënë mbështetje nismës së Drejtorisë së Arsimit për hartimin e rregulloreve të ndryshme në arsim, ndërkohë që i ka nxitur anëtarët e saj t`i paraqesin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre deri në takimin e ardhshëm.

 

Arben Mehmeti, kryesues i KA, ka thënë se investimet dhe shpenzimet po diskutohen në këtë trupë komunale, për të qenë sa më transparent me qytetarët, për të mos i dhënë askujt aryse të ngreh dyshime, edhe pse kjo çështje është shqyrtuar edhe në Kuvend Komunal.  

Rushit Avdiu, shef i financave në Drejtorinë e Arsimit, ka thënë se investimet e përgjithshme të vitit 2015 arrijnë mbi 1.5 milion euro. Projekte janë realizuar nga buxheti komunal, MASHT-i dhe donatorët e jashtëm, ka thënë ai.

Buxheti i vitit 2015 është shfrytëzuar 99.61 për qind. Sa u përket bursave, Avdiu sqaroi se një pjesë e mjeteve të planifikura, është dashur të shfrytëzohen për pagesën e obligimeve të vitit 2014, ndërsa pjesa e mbetur, është ndarë për nxënësit e shkollës së Bujqësisë, për të stimuluar regjistrimin në këtë drejtim, për shkak të numrit të vogël të të interesuarve.

Ai ka prezantuar edhe buxhetin 2016, duke thënë se mjetet e planifikuara për investime janë më të vogla për 20 mijë euro. Ndërkaq, duke u përgjigjur në interesimet konkrete të anëtarëve të KA, Fehmi Sylejmani (VV), Shukrije Rapuca (PDK), Leonora Bunjaku (PDK), Idriz Ramadani (LDK), Arta Hyseni (LDK) e Ajtene Shahiqi (AAK), përgjegjësi financiar i DKA-së, ka thënë se shpenzimet për transport të nxënësve, në distancat e parapara, janë obligim ligjor dhe nuk mund të reduktohen.

Avdiu ka thënë po ashtu se granti për arsim, është i ultë, duke sqaruar por kjo bëhet në bazë të formulës, ku merret parasysh numri i nxënësve dhe jo norma mësimore. Nga granti qeveritar ndahen nga 23 euro për kokë nxënësi dhe komunat janë të pafuqishme të ndikojnë në ndarjen e buxhetit.

Edhe Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se nevojat, gjithmonë janë më të mëdha se sa mundësitë.

Dukuritë negative në shkolla, ka qenë tema tjetër, e cila ka tërheq vëmendjen e anëtarëve të Komitetit të Arsimit. Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, pasi ka prezantuar aktivitetet që janë zhvilluar nëpër shkolla, në funksion të parandalimit të dukurive negative, ka thënë se nxënësit duhet të edukohen përmes arsimimit, pa e përjashtuar edhe rolin e familjes, por sipas tij, mësimdhënësit nuk i kushtojnë sa duhet rëndësi kësaj pjese.

“Një mësimdhënës nuk mund të jetë edukator i mirë nëse ndërron cigare me nxënës, apo nëse rri në kafiteri me nxënës”, ka thënë Musa.  

Projekt-rregulloren për arsim e ka prezantuar Bardhyl Syla, përgjjegës i sektorit juridik në DKA, duke thënë se një rregullore e tillë i nevojitet shumë arsimit, sepse adreson shumë çështje konkrete, brenda kuadrit ligjor, që tani janë të padefinuara. Një rregullore të tillë, nuk e ka ende asnjë Komunë në Kosovë, ka thënë Syla.  

 

Kthehu mbrapa

Shto koment