DSHMS raportoi për punën 100-ditëshe

14.04.2014 (komentet: 0)

Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS), është informuar të hënën, për punën 100-ditëshe të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) nga drejtoresha Labinotë Demi-Murtezi, e cila ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë identifikuar shumë probleme e pakënaqësi në këtë sektor dhe aty ku ka qenë e mundur, janë ofruar zgjidhje të duhura menjëherë.

 

 

Aktualisht, brengos shkalla e ultë e furnizimit me barna dhe material tjetër shëndetësor nëpër objektet shëndetësore, ka thënë Demi-Murtezi.

Ajo ka thënë se për të zbutur këtë problematikë, qytetarët me nevoja të theksuara ndihmohen me mjete nga fondi për subvencione, duke nënvizuar se kërkesat e tilla, që adresohen në DSHMS, janë çdo ditë e më të shumta.

Gjatë kësaj periudhe është kryer vaksinimi i fëmijëve të komunitetit rom, është bërë riorganizimi i kujdestarisë së barnatoreve gjatë natës, në lagjen “Dardania”, është përtërirë kontrata me Qendrën Rajonale të Shëndetësisë për hulumtimin e ujit të pijes dhe janë kryer punë të tjera.

Zyra e Ujit është e gatshme t`iu përgjigjet kërkesave të qytetarëve për marrjen e mostrave të ujit për analiza kimiko-bakteriologjike, ka thënë Demi-Murtezi dhe i ka inkurajuar qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi nëse kanë dilema rreth cilësisë së ujit, sepse bëhet pa pagesë.

Në sektorin e mirëqenies sociale, është realizuar projekti i dimërimit, ku pako ushqimore dhe dru për ngrohje kanë përfituar 815 familje. Për të zbutur gjendjen sociale, kryetari i Komunës ka premtuar ndarjen e një fondi prej 100 mijë euro, ka thënë Demi-Murtezi.

Ajo ka premtuar ndarje të drejtë të këtij fondi, duke thënë se obligim yni është përkujdesja për fëmijët pa prindër, për nënat mbajtëse të familjes, për viktimat e dhunës në familje dhe rastet tjera me gjendje të rëndë sociale.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është përgjigjur edhe në interesimet e anëtarëve të KSHMS, Imet Rrahmani (kryesues), Besa Baftiu (VV), Fatbardha Selami (PDK), Agron Leka (PDK), Jashar Jashari (LDK), Sami Ahmeti (LDK) e Veton Uka (AAK), të cilët kanë ngritur probleme të ndryshme në shëndetësinë primare, duke kërkuar edhe masa adekuate për zgjidhjen e tyre.

Imet Rrahmani, kryesues i KSHMS i ka paraqitur edhe rekomandimet për DSHMS-në, ku kërkohet që të vrojtojë nga afër gjendjen në QKMF dhe nëse konstatohen shkelje, të merr masa ndaj menaxhmentit të këtij institucioni të shëndetit primar, pastaj që të shikojë mundësitë për pranimin e një tekniku në ambulancën e fshatit Shurdhan si dhe të fillojë procedurat për pranimin e një tekniku të rëntgenit të stomatologjisë në QKMF, në mënyrë që ky shërbim të punojë në dy ndërrime dhe të mos mbyllet atëherë kur punëtori i vetëm gjendet në pushim ose mungon për arsye të tjera.

KSHMS ka kërkuar nga DSHMS që ta shikojë me kohë edhe çështjen e dezinfektimit hapësinor, meqë kompanisë, e cila e ka kryer këtë shërbim gjatë tri viteve të kaluara, i skadon kontrata në qershor.

Duke e ditur se Gjilani po përballet me problemin e ujit, Jashar Jashari ka kërkuar që të hapen pika referente në qytet për furnizim të popullatës me ujë të pijes,  derisa problemi nuk tejkalohet.                      

Kthehu mbrapa

Shto koment