Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në gjendje gatishmërie për sigurinë e qytetarëve

13.07.2015 (komentet: 0)

 

Gjendja e sigurisë në Komunën e Gjilanit është e qetë në kuadër të kompetencave që ka Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke potencuar efikasitetin dhe angazhimet që janë duke ndodhur në punë praktike në terren dhe falë bashkëpunimit shumë të ngushtë me akterët kryesor të sigurisë, ka thënë në një konferencë për media U.D. i drejtorit të kësaj drejtorie, Hazir Mustafa.

 

Mustafa në fjalën e tij ka thënë se volumi i punëve në shumë fusha dhe bashkëpunimet e ndryshme po bënë që të kemi gjendjen e sigurisë në nivel të lart në Gjilan.

“Aktivitetet e shumta të kësaj drejtorie bazohen në planin e saj të veprimit, planin e vlerësimit të rrezikshmërisë, planit emergjent dhe shumë planeve të tjera. Gjithashtu aktivitetet janë edhe në kuadër të bashkëpunimit që kemi me Policinë e Kosovës, FSK – së, Bashkësitë Fetare, Shoqërinë Civile, qytetarët etj. Në fillim të këtij viti janë të theksuara vërshimet që kanë ndodhur në Gjilan, duke përfshirë disa vendbanime përgjatë lumenjve ku janë shkaktuar edhe dëme materiale, ndër më të dëmtuarit është fshati Miresh, ku kishim shtëpi të përfshira nga uji, por edhe rrëshqitje të mëdha të dheut”, tha ai ndër të tjerash.  

Mustafa, ka bërë të ditur angazhimet në planifikim, që përveç  planit për vlerësimin e rrezikshmërisë që është kaluar në Kuvendin e Komunës, tani është duke punuar edhe në hartimin e planit të reagimit emergjent.

Në prezantimin e tij ai ka njoftuar se si drejtori janë të angazhuar së bashku edhe me shërbimin e zjarrëfikjes që të siguroj qytetarët se është e gatshme të veproj në raste të fatkeqësive që shkaktohen nga zjarri apo edhe raste të tjera.

“Falë profesionalizmit të Shërbimit të Zjarrëfikjes ne kemi vepruar në 206 raste nga to 135 raste të intervenimit në zjarre, që me rritjen e qytetit po rriten edhe kërkesat për intervenime, duke ditur që janë edhe kategoria e aksidenteve në të cilat ky shërbim ofron ndihmën e vet. Ky shërbim gjatë fillimit të vitit ka pranuar donacione të ndryshme, si pompa të ujit dhe material tjetër. Gjithashtu kemi marrë donacion një automjet të intervenimit fushor nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe së shpejti presim edhe automjetin sulmues për intervenim nëpër qytet”, tha ai.

Mustafa ka bërë të ditur se në këto ditë vere inspektorët e kësaj drejtorie kanë shtuar edhe patrullimin në zonat e banuara, afër afarizmit hotelier por edhe afër qendrave tregtare, për të vetmin qëllim, krijim të sigurisë për qytetarë.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment