Drejtoria e Shëndetësisë efikase në shërbimet shëndetësore dhe asistencën sociale

25.03.2015 (komentet: 0)

 

 Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si drejtori në kuadër të së cilës janë edhe disa sektor të rëndësishëm si Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Qendra për Punë Sociale, Zyra për Mirëqenie Sociale, Zyra për Ujë, Inspeksioni Sanitar dhe sektorë të tjerë, mbulojnë me shërbime një numër jashtëzakonisht të madh të qytetarëve, duke bërë kështu që dinamika e punës të jetë përherë në nivelin e lartë, për të arritur trajtimin e kërkesave që drejtohen në këtë resor të ndjeshëm që ka të bëjë me shëndetin e njeriut dhe me mirëqenien e tij në përgjithësi, tha në një konferencë për media U.D. Muhamet Kastrati i cili shoqërohej nga drejtori i QKMF-së Fejzulla Berisha dhe drejtori i QPS-së Mursel Zymberi.

 

Me këtë rast U.D. Muhamet Kastrati, ka thënë se drejtoria të cilën ai e drejton ka rritur dinamikën e punës, me qëllimin e vetëm shërbimin më të mirë për qytetarë pavarësisht se në cilin sektor ata drejtohen.

“Drejtoria e Shëndetësisë ka një numër të madh të qytetarëve të cilët pikë-preken me shërbimet që ne ofrojmë. Është sektor shumë i ndjeshëm, që ka të bëjë kryesisht me shëndetin e qytetarëve në përgjithësi, me mirëqenien e tyre, me kualitetin dhe standardin e jetës që ata kanë dhe kategori të tjera, që ka detyruar menaxhmentin të organizohemi për të dhënë shërbime më të mira për qytetarë në përgjithësi”, tha ai.

Vetëm nga zyra për shëndetin publik, për vitin 2014 janë zhvilluar aktivitete të ndryshme të shumta nga edukimi shëndetësor i popullatës me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve nga sëmundjet ngjitëse.

“Për këtë qëllim zyra për shëndetin publik ka bërë vizita të shumta nëpër institucione të ndryshme, por edhe vizita në terren e që përmes këtyre vizitave është arritur të pikë-preken një numër shumë i madh i qytetarëve për të informuar rreth parandalimit dhe kujdesit që duhet pas në rast të ndonjë sëmundjeje ngjitëse”, ka spikatur Kastrati.

Ndërkohë, në aspektin shëndetësor për sëmundje të cilat trajtohen në nivel më të lartë, siç është QKUK-ja, janë dërguar për trajtim të mëtejmë 113 raste.

“Kemi 113 raste të cilat janë referuar për trajtim në QKUK. Natyra e sëmundjeve ka qenë kryesisht e niveleve të cilat nuk trajtohen në nivelin primar, siç janë sëmundjet tumorale, oftalmologjike, kardiovaskulare, ortopediko – traumatologjike, neurologjike, politraumë dhe sëmundje internistike”, tha ai duke njoftuar se si Drejtori, janë të përkushtuar që raste të tilla t’i procedojnë sa më shpejt ngase natyra e sëmundjeve kërkon një efikasitet të shtuar. 

Kjo drejtori ka përgatitur, udhëhequr dhe përcjellë për pagesa 427 lëndë që lidhen me aprovimin e ndihmave për kërkesa të palëve që shpenzimi i shprehur në vlerë financiare është mbi 50 mijë euro.

Kastrati ka siguruar qytetarët e Gjilanit se në bazë të mostrave të marra të ujit nga terreni del se edhe në kohën kur në Gjilan kishte reshje të mëdha të shiut, uji ka qenë i pijshëm dhe komisioni i cili është marrë me analizat e këtyre mostrave, ka nxjerrë përfundimin se nuk ka ndotje të ujit.

Drejtoria ka qenë implementuese e projektit të dimërimit, ku hyjnë pako ushqimore dhe lëndë djegëse për ngrohje, nga i cili projekt kanë përfituar gjithsej mbi 300 familje me nga 2 metra dru dhe 400 familje me pako ushqimore. Në të njëjtën kohë ai ka bërë të ditur se Komuna e Gjilanit bënë pagesën e qeras për pesë familje që vlera totale arrin në 1720 euro.

Kastrati ka thënë se janë të angazhuar që gjatë të ardhmes të jepen shërbime edhe më efikase në shëndetësi, kujdesin social dhe mbrojtje të shëndetit publik.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ofron shërbime shëndetësore edhe në zonat më të largëta nga qyteti

Drejtori i QKMF-së Fejzulla Berisha, në fjalën e tij në këtë konferencë ka ofruar të dhëna të cilat dëshmojnë se gjatë vitit 2014 nga ky institucion ndihmën e mjekut e kanë kërkuar mbi 202 mijë qytetarë, janë pranuar donacione të ndryshme në pajisje shëndetësore, sikur që është investuar edhe në pajisje të tjera moderne dhe riorganizim të stafit mjekësor për të dhënë shërbime më të mira për qytetarët e Gjilanit.

“Jemi angazhuar mirë edhe në aspektin e riorganizimit të stafit shëndetësor por edhe në caktimin e kujdestarive për të mundësuar shërbime më të mira dhe më të shpejta për qytetarë. Kështu që për vitin 2014 kemi dhënë 202 mijë shërbime shëndetësore për qytetarë të cilët kanë kërkuar ndihmën e mjekut. Shërbimet shëndetësore janë jepen nëpër institucionet shëndetësore, në shtëpi të pacientit përmes mjekut, shërbime të ndihmës së shpejtë, vizitave në terren nga mjeku nëpër zonat më të largëta nga qyteti, por edhe shërbime të tjera për nxënësit dhe fëmijët në aspektin e vaksinimit të rregullt të tyre por edhe vaksinimin e qytetarëve për t’u mbrojtur nga viruse të ndryshme që mund të paraqiteshin”, tha ai, duke njoftuar edhe për donacionin të një autoambulance që ka pranuar kjo qendër nga Rotary Club nga Anglia falë angazhimit të Rotary Clubit të Gjilanit dhe pajisjeve të tjera përcjellëse.

Gjithashtu, Berisha ka informuar edhe për investimet në pajisje që kjo qendër ka bërë sa i përket modernizminit të pajisjeve shëndetësore, si aparati biokimik automatik, aparati hematologjik për shërbime laboratorike, aparatin për zhvillim të filmave të rëntgenit stomatologjik, karrige stomatologjike, një automjet të ri për transportin e pacientëve në dializë otoskopa, tensiometra llampa për fyt, inhalator, pajisje të ndihmës së shpejtë, etj., sikur që është bërë edhe monitorimi i objekteve dhe pajisjeve ekzistuese, në mënyrë që qytetari të mos ketë mungesën e shërbimeve kualitative shëndetësore.

Drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha, tha se sa i përket investimeve kapitale, ku është bërë renovimi i QKMF-së, i QMF-së në Dheun e Bardhë, në lagjen Dardania, Arbëria, në fshatin Malishevë, Pogragjë, sikurse është shtuar edhe një aneks në QMF-në në rrugën Ramiz Cërrnica.

“Buxheti i ndarë për këtë qendër është shpenzuar 99.99%, sipas planifikimit të bërë. Këtë vit jemi të përkushtuar që punë të shihet edhe më tepër në kuadër të rritjes së dinamikës dhe efikasitetit në punë përmes riorganizimit të stafit mjekësor edhe pse në këtë drejtim kemi nevojë për staf shtesë për të bërë mbulimin e gjithë hapësirës së Komunës me shërbime shëndetësore 7 ditë në javë”, përfundoi Berisha.

Asistenca sociale e domosdoshme për mbijetesë për familjet pa të ardhura në Gjilan

Në Qendrën për Punë Sociale, Mursel Zymberi, ka thënë se adresohen raste të cilat kanë probleme sociale, të mungesës së strehimit, ushqimit, të dhunës në familje dhe shërbime të tjera që kanë të bëjnë me një kategori vërtetë me gjendje të rëndë ekonomiko – sociale në përgjithësi.

“Për vitin që lamë pas, janë shpërndarë mbi 1800 pako ushqimore dhe veshmbathje me mbështetje të zyrës së kryetarit, të donatorëve por edhe të institucioneve të ndryshme nga brenda dhe jashtë Kosovës. Në skemën e asistencës sociale gjatë vitit 2014 kanë qenë një numër shumë i madh i të verifikuarve që kalon shifrën 1749 raste të kategorisë së parë rreth 800 në kategorinë e dytë, por marrë në përgjithësi, ky numër është i madh, ndërsa pasi janë aplikuar kushte të reja për përfituesit e ndihmës sociale nga niveli qendror, gjendja është ndryshe sepse që në fillim 300 raste të tilla janë larguar nga skema për shkak të kritereve të vendosura”, tha ai.

Zymberi gjithashtu ka spikatur edhe problemin në rritje të dhunës në familje që është duke shkuar drejt dyfishimit të rasteve nga një vit më parë.

“Rastet e dhunës në familje janë duke shkuar në rritje, ndërsa edhe rastet e trajtuara të fëmijëve pa dy prindërit, pa njërin prind, apo edhe fëmijë të larguar nga familja për shkak të sjelljeve jo-korrekte të prindërve ndaj fëmijëve”, tha, ndër të tjerash, drejtori i QPS-së Mursel Zymberi.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment