Debat: Rinia dhe Transparenca: Të përjashtuar apo të injoruar?

26.09.2013 (komentet: 0)

Në kuadër të shënimit të Javës së Rinisë në Komunën e Gjilanit, OJQ Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QKBN)/ ka planifikuar të realizojë dy aktivitete. Bëhet fjalë për një debat rreth publikimit të analizës në kuadër të projektit për Rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrjen lokale me temën: Rinia dhe Transparenca: Të përjashtuar apo të injoruar? Ky projekt realizohet nga OJQ Ec ma ndryshe nga Prizreni dhe OJQ KCIC/QKBN nga Gjilani.

 

Po ashtu aktivitet tjetër parashihet simulimi i zgjedhjeve për votuesit e rinj në kuadër të projektit Edukimi i qytetarëve për zgjedhje të lira dhe demokratike që realizohet nga OJQ KCIC/QKBN që është pjesë e Koalicionit të Organizatave Jo Qeveritare Demokracia në Veprim.

Këto aktivitete do të realizohen të enjten, me datën 26 shtator 2013, në dy lokacione  tek salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të mbahet debati – Rinia dhe transparenca: Të përjashtuar apo të injoruar  ku do të prezantohet publikimi i Analizës pastaj do të ketë diskutime edhe nga panelist të tjerë si: Bujar Haziri, sektori i rinisë së DKRS Gjilan, Eranda Isufi, kryetare e KVLR, Selim Daku, kryetar i Unionit te studentëve Pro Evropian, Nuhi Nuhiu, Drejtorë i Drejtorisë për buxhet dhe Financa, e të tjerë.

Ndërsa  tek Zyrat e OJQ KCIC  do të bëhet simulimi i zgjedhjeve për votuesit e rinj në kuadër të projektit Demokracia në Veprim.

Përndryshe, kur jemi te raporti që do të prezantohet, ai shqyrton transparencën e komunave të Prizrenit dhe të Gjilanit në raport me të rinjtë që jetojnë në këto dy qendra urbane.Të gjeturat e  këtij raporti burojnë nga hulumtimi respektivisht anketimi i të rinjve të shkollave të mesme  dhe  të universiteteve të Prizrenit dhe Gjilanit.

Në anketa janë përfshirë nga 200 të rinj nga secila komunë, që i janë përgjigjur pyetjeve në  lidhje  me  funksionimin e pushtetit  lokal, transparencën dhe përfshirjen e publikut dhe të rinjve në vendimmarrjen komunale. Rezultatet e hulumtimit në përgjithësi tregojnë se  përfshirja  e  rinisë  në  vendimmarrjen  e komunave të Prizrenit dhe të Gjilanit nuk është në  nivel  të  lartë,  se  qeverisja  është  pak transparente, se rinia nuk është e informuar për buxhetimin  me  pjesëmarrje  dhe  se  nuk  ka konsulta  të  duhura  me  ta  gjatë  hartimit  të dokumenteve të rëndësishme strategjike.

Anketat e kryera dëshmojnë se të rinjtë e dy komunave mbeten jashtë procesit  të politikbërjes komunale derisa përfshirja e tyre në konsultimet publike është shumë e rrallë dhe kryesisht e natyrës formale për përmbushjen e obligimeve minimale ligjore. Në të njëjtën kohë njohuritë  e  këtyre të rinjve  në  lidhje me të drejtat e tyre qytetare janë në nivel të ultë dhe nevojitet  një  qasje  e strukturuar  e institucioneve  vendimmarrëse  dhe  e  atyre arsimore  por  edhe  e   shoqërisë  civile  për përmirësimin e këtyre trendeve.

Ndryshe, projekti “Rritja e pjesëmarrjes përmes mediave sociale” i mbështetur financiarisht nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) është duke u zbatuar nga EC Ma Ndryshe në Prizren dhe në partneritet me KCIC-në në Gjilan. Qëllimi i projektit është që të inkurajoj të rinjtë e Prizrenit dhe të Gjilanit për pjesëmarrje në vendimmarrje lokale dhe që përmes qasjes inovative dhe edukative t’ju lehtësojë atyre kuptimin e të drejtave dhe përgjegjësive qytetare.

Për më tepër, projekti synon të ngushtojë hendekun mes pushtetit lokal dhe të rinjve duke i mbështetur ata përmes aktiviteteve të ndryshme në terren dhe në komunitet, duke përdorur mjetet sociale që janë në dispozicion gjithnjë e më shumë./radiorinia/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment