Cërnica përfiton nga marrëveshja e Komunës me rotarianët e Prishtinës dhe Gjilanit

09.06.2015 (komentet: 0)

Displaying Rotary Club.JPG

 Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi me Klubin Rotarian “Prishtina Internacional” dhe Klubin Rotarian “Gjilani” për realizimin e projektit  me participim të përbashkët të kanalizimit në shkollën fillore “Ramiz Cernica” në Cërnicë të Gjilanit, me vlerën e afro 10 mijë euro.

.

Marrëveshjen e ka nënshkruar sot kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri si dhe përfaqësuesit e rotarianëve të Prishtinës dhe Gjilanit, Sylë Alaj dhe Muhamet Halili.

“Falënderoj rotarianët e Prishtinës dhe Gjilanit për marrëveshjen e përbashkët për rregullimin e infrastrukturës nëntokësore dhe kanalizimit për shkollën fillore “Ramiz Cernica” në Cernicë. Është projekt i radhës dhe dëshiroj t’i falënderoj për mbështetjen edhe për vitin e kaluar, poashtu në infrastrukturë të ujit të pijshëm në shkolla dhe për ofrimin e shërbimeve për nxënës dhe për personelin e arsimit”, ka thënë pas nënshkrimit të marrëveshjes kryetari Lutfi Haziri.

Haziri tha se këto janë projekte simbolike, por funksionale në shërbim të qytetarëve.

“Ne i dakorduam që të vazhdojmë me bashkëpunim dhe në të ardhmen do të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi në mënyrë që në sektorët e ndryshëm t’i implementojmë në interes të qytetarëve. Janë projekte simbolike, por funksionale në shërbim të qytetarëve. Duke marrë parasyshë vështirësitë buxhetore për shkak të obligimeve buxhetore dhe borxheve që ka kjo Komunë, çdo mbështetje është e rëndësishme për ne”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Ndërkaq, Sylë Alaj, përfaqësues i Klubit Rotarian “Prishtina Internacional” tha se ky është projekti i dytë që po realizohet në këtë formë, ku si Rotary Klub do të participojnë me 50 për qind të vlerës së projektit, duke pohuar se në të ardhmen pritet të realizohen edhe pesë projekte tjera në Anamoravë.

Nga ana e tij, Muhamet Halili nga Klubi Rotarian “Gjilani”, tha se e gëzon fakti që brenda këtij vitit pritet të realizohet edhe një projekt ku do të përfitoj një shkollë e Gjilanit.

/kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment