Bunjaku-Rexhepi: Kuvendi ka bashkëpunim shumë të mirë me ekzekutivin për të mirën e qytetarëve

21.09.2015 (komentet: 0)

 

Në një tryeze mbi “Rolin mbikëqyrës të organeve legjislative”, të organizuar nga Qendra Rajonale e OSBE – së në Gjilan për bashkëpunimin mes Kuvendeve Komunale dhe ekzekutivit në kuadër të këtij regjioni, në të cilin hyjnë 11 Komuna, ku të pranishmit, respektivisht kryesuesit e Kuvendeve Komunale, drejtorët e drejtorive të Buxhetit, Arsimit dhe Shëndetësisë, kanë debatuar mbi bashkëpunimin në përgjithësi, llogaridhënien, raportimin dhe planifikimin më të mirë në shërbim të qytetarëve dhe zhvillim të Komunave veç e veç.

 

Me këtë rast në këtë takim e pranishme ishte edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila shoqërohej nga ekzekutivi, respektivisht drejtori i buxhetit, Zjadin Maliqi, ai i arsimit, Nazmi Musa dhe drejtori i shëndetësisë, Nexhat Hajrullahu, ka thënë se bashkëpunimi mes legjislacionit dhe ekzekutivit në Gjilan është shembulli më i mirë që dëshmon për angazhim maksimal, në shërbim të planifikimit më të mirë të mundshëm, por edhe llogaridhënie para Kuvendit të Komunës si organ i përfaqësimit të qytetarëve.

”Bashkëpunimi mes legjislacionit dhe ekzekutivit në Komunën e Gjilanit është në nivelin më të mirë të mundshëm. Të gjitha punët i bëjmë në bashkëpunim dhe koordinim me ekzekutivin, në mënyrë që përmes projekteve, planifikimit dhe programeve të qeverisjes lokale, qytetarët të jenë përfituesit më të mëdhenj. Në trupat profesionale të Kuvendit – Komitetet, (pozitë – opozitë) jepet kontribut shumë i madh me rekomandime, vërejtje, sugjerime që të ndikohet në ekzekutivin e Komunës, për intervenime dhe investime në fusha të ndryshme. Gjithashtu një kontribut shumë të madh janë duke e dhënë edhe këshillat e fshatrave, për organizime të ndryshme, konsultime dhe adresime të kërkesave në institucione, për probleme të ndryshme të komunitetit në pjesë të ndryshme të komunës”, tha ajo. 

Poashtu, sipas Bunjaku-Rexhepit, raportimet nga ana e pjesës ekzekutive të Komunës së Gjilanit janë gjithashtu pjesë e planit të punës, që jepen para këshilltarëve komunal duke komentuar dhe debatuar hapur edhe me opozitën e cila kontribuon vazhdimisht në këtë drejtim.

Ajo ka uruar që këtë kulturë të bashkëpunimit dhe transparencë për të cilën edhe është shpërblyer legjislativi, ta ndjekin edhe komunat tjera.

Ndërsa nga ana e tij, drejtori i OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar, ka thënë se roli mbikëqyrës i  organeve legjislative ndaj ekzekutivit është shumë me rëndësi, kur kemi parasysh kompetencat e mëdha që kanë kryetarët e Komunave.

“Llogaridhënia është me shumë rëndësi. Kryetarët e Komunave në Kosovë kanë kompetenca ekzekutive më të mëdha, krahasuar me vendet e regjionit. Raportimi i tyre para Kuvendit është me shumë rëndësi, sikur që e rëndësishme është edhe përfshirja e trupave të Kuvendit në organizim të planifikimit të buxhetit dhe organizimit të debateve me qytetarë për projektet dhe zhvillimet në Komunat tuaja. Në kuadër të kësaj, përmes legjislacionit duhet të fuqizohen edhe më shumë Kuvendet Komunale sepse Kuvendet janë përfaqësimet e drejtpërdrejta të qytetarëve”, tha ndër të tjerash në fjalën e tij, drejtori Biffar.

Ndryshe, në këtë tryezë kanë kontribuuar me përvojat e tyre profesionale edhe drejtorët e drejtorive komunale nga komunat e ndryshme të regjionit të Gjilanit, duke potencuar praktikat e bashkëpunimit në mes ekzekutivit dhe legjislativit, në shërbim të qytetarëve, përpos Komunës së Parteshit e cila ka prezantuar një mungesë totale të bashkëpunimit ne mes të kryetarit të kësaj Komune dhe Kuvendit si organ legjislativ.

Kurse, Afrim Nesreti, udhëheqës i këtij programi dhe Fatmir Zylfijaj nga Njësia për Qeverisje Lokale, kanë dhënë rekomandimet për bashkëpunim më të madh dhe më përmbajtjesor mes dy organeve, legjislativ dhe ekzekutiv, duke bashkëpunuar me trysni dhe koordinim për ndikim më të madh të përbashkët në nivelin qendror, për planifikim edhe më të mirë në zhvillim të komunave dhe mbështetje më të madhe buxhetore.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment