Bunjaku Rexhepi: Komuna e Gjilanit është shembull sa i përket informimit të publikut

18.12.2014 (komentet: 0)

 

Është mbajtur sot konferenca regjionale me temën “Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje në nivel lokal”, e organizuar nga organizata “ATRC”, në të cilën kanë marrë pjesë kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit Valentina Bunjaku Rexhepi si dhe përfaqësues nga Komuna Vitisë, Kamenicës dhe Novobërdës.

 

 

Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i ATRC-së, është shprehur se përmes këtij projekti synohet që vendimet që merren nëpër komuna të informohet fillimisht publiku si dhe ka rekomanduar themelimin e komiteteve konsultative.

 

“Ne po synojmë që përmes bashkëpunimit me këto komuna të informojnë publikun rreth praktikave, dokumenteve dhe vendimeve që kanë marrë dhe po merren nëpër komuna, duke synuar, që publiku të jetë i informuar fillimisht si faza e parë e angazhimit të qytetarëve në vendimmarrje. Synimet tona janë ato që publiku të jetë i konsultuar vazhdimisht në proceset e vendimmarrjes në nivel lokal, e aq më shumë në projekte e vendime që prekin drejtpërdrejt interesat e tyre. Poashtu, po e përmend nevojën e themelimit të komiteteve konsultative, të funksionalizohen dhe përmes tyre të merret vendimi nga kontributi i drejtpërdrejt i qytetarëve”, ka thënë Kaloshi.

 

Nga ana e saj, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit Valentina Bunjaku Rexhepi, duke folur për transparencën dhe punën e mirë që bëhet në informimin e publikut nga Zyra e Informimit të Komunës së Gjilanit, ka marrë shembull raportin e KDI-së, që Kuvendin Komunal të Gjilanit e ka shpallur si të parin në nivel vendi sa i përket transparencës.

 

“Raporti i KDI-së, që e ka shpallur Kuvendin e Komunës si të parin për sa i përket transparencës në nivel vendi, tregon për punën e madhe që bëhet nga Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit, në informimin publikut në mënyrë të drejt dhe  me kohë. Përveç lajmeve, në ueb faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit përfshihen edhe njoftimet, vendimet, raportet, konkurset etj. Poashtu, Kuvendi Komunal ka bërë pesë debate publike deri më tani dhe në ato debate kanë marrë pjesë të gjithë qytetarët, shoqëria civile, mediat etj., dhe janë dëgjuar rekomandimet e kërkesat e tyre”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

 

Duke folur rreth debateve për buxhetimin, Bunjaku Rexhepi tha ne kemi pasur tre takime publike dhe edhe në këtë pikë janë marrë parasysh kërkesat e qytetarëve nga drejtoria për Buxhet dhe Financa.

    

Sa i përket Komiteteve Konsultative, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit pohoi se javë më parë tashmë është miratuar Statuti i ri Komunës dhe në të janë përfshirë edhe Komitetet Konsultative sepse kemi vlerësuar që ato trupa profesionale do të na shërbejnë për të marrë vendimet ne Asamble.

 

Ndryshe, OSBE muaj më parë ka shpallur Komunën e Gjilanit si model sa i përket funksionimit të çasjes në dokumente publike.

Kthehu mbrapa

Shto koment