Bislimi forcon rëndësinë e rrugës Gjilan - Kumanovë

16.10.2013 (komentet: 0)

Gjilan – Në vazhdën e takimeve me qytetarë, kandidati për Kryetar të Gjilanit, Faton Bislimi së bashku me bashkëpunëtorë ka bashkëbiseduar më banorët e fshatit Bresalc, Haxhaj, Bilinicë, paralagjës së Gjilanit në Livoq të Epërm, si dhe ka vizituar Tregun e Gjelbërt të qytetit.

Në Bresalc, Bislimi ngriti edhe njëherë problemet më të cilat ballafaqohen banorët e këtij vendi, duke theksuar edhe faktin që ende fëmijët e disa lagjeve të këtij fshati, sidomos gjatë dimrit, rrezikohen duke ecur nëpër rrugën magjistrale Gjilan-Prishtinë për të shkuar në shkollë. 

Bislimi tha se një ndër punët e para që do ta bënte si kryetar komune do të ishte organizimi i busëve të nxënësve në Bresalc dhe fshatra tjetra me problematikë të njëjtë që njëherë e mirë këta fëmijë t’i shmangen rrezikut edhe për jetë. 

Në një ndejë shumë miqësore e bujare në fshatin Haxhaj, Bislimi i njoftoi të pranishmit me planin e tij zhvillimor për komunën dhe foli konkretisht edhe për rrugën nacionale që duhet të bëhet në mes Gjilanit dhe Kumanoves, dhe rëndësinë ekonomike që do të kishte kjo rrugë për gjithë atë rajon. U premtua edhe rindërtimi i shkollës në këtë fshat, e cila është në gjendje të mjerueshme dhe që përkundër premtimeve të shumta, asnjëherë nuk është rindërtuar. 

Në Bilinicë, Bislimi bashkëbisedoi me të pranishmit për problemet e zonës kufitare në përgjithësi dhe ato të fshatit në veçanti, duke ritheksuar edhe njëherë nevojën imediate për rindërtimin e rrugës deri në këtë fshat dhe për lehtësirat tjera që komuna do t’i ofrojë për gjithë banorët e zonave kufitare, duke përfshirë këtu edhe Bilinicën e Dobrosinin. 

Në diskutim me banorët dhe përfaqësuesit e paralagjës së Gjilanit, në Livoq të Epërm, Bislimi u njoftua me prioritetet e këtij lokaliteti dhe kërkesat e tyre. “Këto nuk janë kërkesa luksoze, por janë nevoja—nevoja elementare që katërmbëdhjetë vite pas luftës nuk do të duhej të diskutoheshin.” Ai iu premtoi banorëve që deri në gjysmë të mandatit të tij të pare, kërkesat e tyre do të implementohen praktikisht dhe nuk do të mbesin vetëm premtime elektorale. 

Gjatë bisedave që Bislimi pati edhe me tregtarët e Tregut të Gjelbërt të qytetit, ai iu premtoi atyre ndihmesën e qeverisjes së re në Gjilan nën udhëheqjen e tij, duke theksuar pozicionin e tij politik se është kundër shitjes apo privatizimit të Tregut të Gjelbërt apo edhe ridestinimit të tij. “Tregu i Gjelbërt është një shtyllë identifikuese e qytetit tone, është një vendpunishte nga i cili mase 300 familje e sigurojnë mbijetesën. Unë jam i lidhur me këtë treg edhe emocionalisht sepse vet gjyshi im ka shitur këtu punime të drurit, si tpinjë e kaca.” Bislimi po ashtu tha se “ne do ta rindërtojmë tregun ashtu që të ofrojë kushte optimale për punë për tregtarët dhe klientët, thuhet në njoftimin e shtabit të Faton Bislimit./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment