Berisha: drejtoria e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve

27.09.2014 (komentet: 0)

 

Drejtoria e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës është në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve duke qenë e përkushtuar në detyrën e saj së bashku edhe me të gjithë sektorët që ka dhe me zyrtarët të cilët kryejnë shërbime profesionale për qytetarë, por edhe për institucione.

 

Me këtë rast drejtori Sadudin Berisha, ka elaboruar punën e kësaj drejtorie për vitin 2014 duke spikatur të arriturat, sfidat dhe problemet që kanë në përgjithësi në këtë resor të rëndësishëm dhe shumë të ndjeshëm të Komunës së Gjilanit.

“Jemi të përkushtuar të gjithë bashkërisht në drejtorinë tonë që të kryejmë punën si duhet dhe të jemi maksimalisht në shërbim të qytetarëve. Puna në DGJKP, është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe ndër resorët më të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Berisha në sektorin e gjeodezisë ka sjellë statistika dhe angazhimet konkrete, duke bërë edhe krahasime për periudhën e njëjtë të vitit paraprak. 

“Gjatë kësaj periudhe të vitit në sektorin e Gjeodezisë janë kryer mbi 2900 shërbime sipas kërkesave të palëve duke përfshirë parcelime dhe bashkimet e ngastrave kadastrale, matjen e ndërtesave dhe pjesëve të tyre, përcaktimi dhe rregullimi i kufijve të parcelave, dhënien e dëshmive nga baza e të dhënave kadastrale apo grafike si dhe punë të tjera të veçanta gjeodezike. Për periudhën e njëjtë ka një rritje të kërkesave në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Poashtu me këtë sektor është bërë shënimi në terren i pronës komunale, rrugët e fshatit Llashticë me një gjatësi prej 5 kilometrash. Kemi kryer rilevimin e gjendjes faktike (mureve dhe objekteve) përgjatë gjithë rrugës Gjilan – Prishtinë dhe Gjilan Bujanoc, deri ku mbulohet zona kadastrale Gjilan”, ka thënë ai duke spikatur si vështirësi mungesën e shënimeve grafike dhe kadastrale si në tërë Kosovën për shkak të grabitjes së të dhënave nga Serbia.

Gjilani ka përfituar nga Banka Botërore përmes Agjensionit Kadastral të Kosovës rikontruimin e 6 zonave kadastrale: Livoç i Poshtëm dhe i Epërm, Velekincë, Llashticë, Lladovë dhe Malishevë të ndara në dy pjesë.

Edhe sektori i Kadastrit ka bërë punë të shumta dhe me rëndësi për drejtorinë por edhe për problemet e qytetarëve.

“Në sektorin e Kadastrit janë proceduar 12 414 kërkesa të ndryshme që kanë të bëjnë me regjistrimin e të drejtave pronësore në bazë të kontratave, vendimeve të ndryshme si trashëgimi, hipotekë, barrë tatimore, masë të përkohshme nga Gjykata, shpronësime, korrigjimin e identitetit të titullarit, azhurnimin tekstual nga matjet në terren etj. Informojmë banorët e lagjes Dardania se është duke vazhduar fushata për regjistrimin e pronës në këtë lagje për të cilën aplikohen masa lehtësuese për të gjithë parashtruesit e kërkesave”, ka thënë ai.

Ndërsa në sektorin e Pronës gjithashtu është një numër i konsiderueshëm i punëve.

“Në sektorin e pronës për këtë periudhë kohore kemi 1065 kërkesa të ndryshme di: oferta për shit – blerje e paluajtshmëri, kërkesa për vlerësimin e paluajtshmërive për nevoja të zhvillimit të procedurave të trashëgimisë, kërkesa për regjistrimin e pronave të paluajtshme përmes komisionit, thirrjet nga Gjykata Themelore në Gjilan, kërkesa për shfrytëzim të pronës komunale, kërkesa për paraqitje të rasteve të uzurpimit të pronës komunale, për kompensimin e pronave të paluajtshme lidhur me shpronësimin, si dhe kërkesa të tjera të ndryshme të cilat kanë të bëjnë më çështje pronësore- juridike. Vetëm këtë vit kemi uzurpime të identifikuara të pronës publike rreth 50 raste, me sipërfaqe prej 3875 metra katror, duke mos përjashtuar mundësinë që numri i uzurpatorëve të jetë shumë më i madh”, ka thënë Berisha ndër të tjerash.

Të hyrat nga kjo drejtori janë 78 % e planit vjetor të të hyrave buxhetore, ose 126 639 euro.

/kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment