Berisha apelon tek qytetarët të rregullojnë marrëdhënien pronësoro – juridike

24.03.2015 (komentet: 0)

 

“Në tre mujorin e parë të këtij viti kemi numër dukshëm më të madh të kërkesave të drejtuara në këtë drejtori, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2014”, ka thënë sot në një konferencë për media drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë Sadudin Berisha.

 

Me këtë rast drejtori Berisha, ka bërë të ditur se nga 30 shërbimet të cilat i ofron kjo drejtori, të cilat rregullojnë pronën në përgjithësi, del se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti të kemi një rritje të interesimit të qytetarëve për të rregulluar çështjen pronësore – juridike dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë resor.

“Tremujori i parë i këtij viti ka qenë koha kur dinamika e punëve është rritur mjaft shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Nga 5013 kërkesa të ndryshme që kishim të pranuara në tremujorin e parë të vitit 2014, kjo gjendje dallon dukshëm në tremujorin e parë të vitit 2015, ku janë pranuar 6432 kërkesa të ndryshme. Falë disiplinës së zyrtarëve të kësaj drejtorie, të gjitha lëndët kryhen në bazë të afateve ligjore, me përjashtim të ndonjë kërkese e cila është më specifike, e cila kërkon kohë shtesë”, ka potencuar drejtori Berisha.

Berisha ka përmendur aspektin e pronës private që është një problem i cili duhet të zgjidhet me interesimin e vet qytetarëve, për të rregulluar pronësoro – juridike.

“Një problem që ende është ekzistues te një pjesë e madhe e qytetarëve është aspekti i bartjeve të pronave dhe rregullimin e marrëdhënies pronësoro – juridike. Në kuadër të kësaj, apeloj që të bëhet ky hap i rëndësishëm në rregullimin e kësaj të drejte, sepse drejtoria e ka vullnetin në bazë të ligjit që të punoj me përkushtim në këtë drejtim. Prona private duhet të ketë edhe ligjërisht pronarët e saj, sepse në shumë raste pronari de fakto i një prone të caktuar nuk figuron në drejtorinë tonë edhe pronar ligjor, prandaj për të mos hasur në probleme gjatë të ardhmes është mirë që sa më parë të bëhet ky hap i rëndësishëm për qytetarë që të rregullojnë këtë aspekt të rëndësishëm pronësoro – juridik”, tha ndër të tjerash ai.

Në këtë fazë e cila është kohë e punës më të madhe brenda zyrave, drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë ka bërë incizimin zonës mes dy rreth – rrotullimeve.

“Incizimi i pronës mes dy rreth – rrotullimeve është përfunduar dhe është një fat shumë i madh që në këtë pjesë nuk kemi uzurpime të hapësirës publike që ka një domethënie shumë të madhe për ne. Gjithashtu gjatë tremujorit të dytë ne do të bëjmë incizimin e gjendjes edhe në pjesët kryesore të qytetit që planifikohet të kryhet deri në përfundimin e këtij tremujori”, tha Berisha, duke shtuar se si drejtori janë të përkushtuar të punojnë në zgjidhje konkrete, por edhe në planifikime afatgjate për të mirën e qytetarëve.

Ai potencoi se në pjesë të ndryshme ka edhe uzurpime të pronës publike për të cilat me kohë mekanizmat e shtetit do të veprojnë dhe do të rregullojnë këtë problem.

Zgjedhja e Këshillave të fshatrave ka bërë të mundur adresimin e çështjeve të rëndësishme për komunitetin, kështu gjatë pjesës së kaluar të këtij viti janë parashtruar dy kërkesa njëra nga këshilli i fshatit Zhegër dhe tjetra nga fshati Cërrnicë.

“Falë zgjedhjes së këshillave të fshatrave në drejtorinë tonë tanimë vijnë kërkesa me adresime të çarta. Këshilli i fshatit Zhegër ka kërkuar nga Komuna e Gjilanit që të bëjë një zgjidhje për caktimin e një prone ku do të ketë mundësi të bëhet ndërtimi i një palestre sportive e cila do të investohet nga ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Është bërë incizimi i gjendjes dhe është caktuar prona ku mund të bëhet ky ndërtim ndërsa gjatë të ardhmes mbetet të precizohet saktësisht se sa hapësirë kërkon ky projekt për tu realizuar, edhe pse prona do të jetë e mjaftueshme për projektet me rëndësi për qytetarët e Gjilanit”, tha drejtori Berisha.\

Ai ka spikatur edhe kërkesën e këshillit të fshatit Cërnicë të cilët kanë kërkuar incizimin e gjendjes së lumit të këtij fshati dhe të rrugës kryesore, të cilat pas matjeve nuk është evidentuar uzurpim në këtë hapësirë publike.

Me përmirësimin e kohës tashmë kjo drejtori do jetë edhe më aktive në matjet e ndryshme për t’i hapur rrugë investimeve në infrastrukturë në qytet dhe fshatra.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment