Begzad Sinani s'i ka mbajtur premtimet

28.10.2015 (komentet: 0)

Në prag të gjysmës së mandatit qeverisës të kryetarit Begzad Sinani, OJQ “Fortesa” ka bërë monitorimin e poërmbushjes së premtimeve si dhe ka bërë vlerësim për punën e pushtetit aktual.

Sipas përfaqësuesit të kësaj organizate, Amir Jakupi, ndërtimi shkollës së mesme në Roganë, realizimi i disa projekteve infrastrukturore dhe asfaltimi i rrugëve në fshatrat e Malësisë, mbeten projekte të papërfillshme përballë qindra premtimeve dhe mashtrimeve elektorale të zgjedhjeve të 2013-së.

 

Vlerësojmë se këto afërsisht dy vjet janë çuar dëm nga qeverisja e Begzad Sinanit, duke mos arritur ta bëjë asnjë ndryshim të prekshëm për qytetarët. Njerëzve iu është dashur vetëm pak muaj të kuptojnë se kjo qeverisje po e vazhdon modelin e paraardhësve, me keqpërdorime e paligjshmëri.

 

Punësimet familjare, degradimi i arsimit, pazaret politike dhe tenderomania po vazhdojnë ta përcjellin këtë mandat qeverisës.

 

Zotimet për transparencë kanë rezultuar me fyerje e kërcënime ndaj gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, pikërisht nga njerëz të stafit të ngushtë të kryetarit të Komunës.

 

Qeverisja aktuale ka dështuar edhe me Administratën. Begzad Sinani kishte premtuar një administratë efikase, por sot situata në këtë sektor është në gjendje të rëndë. Kjo administratë, jo vetëm që është e paaftë, por është edhe e korruptuar.

 

Edhe gjatë vitit të dytë të qeverisjes, hovi i luksit nuk është ndalur. Ashtu sikurse shumica e premtimeve të krerëve komunalë që janë tretur si kripa në ujë, edhe zotimi për uljen e trendit të blerjeve dhe përdorimit të veturave zyrtare nuk është mbajtur. Vitin e kaluar Komuna e Kamenicës ka shpenzuar 50 mijë euro për vetura, të cilat në të shumtën e rasteve përdoren për qëllime private. Derisa gjysma e popullatës së Kamenicës jeton në varfëri, kjo qeverisje po bënë jetë luksi. Përdorimi i veturave zyrtare pa aprovim, pa shënim të destinacionit dhe qëllimit, kanë qenë edhe vërejtje të Auditorit dhe nuk janë përfillur.

 

KuvendiKomunal që në fillimet e përbërjes së re, është përballur me veprime të kundërligjshme, për të vazhduar me pasivitetin e asambleistëve të ndikuar nga ekzekutivi dhe një opozite që asnjëherë s’ka qenë në nivel të detyrës. Përbërja e Kuvendit ka qenë një kukull e bukur e ekzekutivit dhe assesi nuk ka arritur ta fus në mbikëqyrje qeverisjen. Në këta 20 muaj, Kuvendi nuk ka dëshmuar se është mbrojtës i interesave të qytetarëve. Ky organ ka qëndruar krejtësisht nën hijen e ekzekutivit.

 

Arsimi është sfera ku kjo qeverisje ka bërë shumë shkelje dhe abuzime në këtë fillimvit shkollor. Janë evidentuar plotë 17 punësime pa konkurs dhe procedura në shkollat e Kamenicës. Arsimi është bërë strehë e ngrohtë për familjarët e zyrtarëve komunalë dhe militantëve partiak.

 

Qeverisja e Begzad Sinanit, e strukur nëpër zyra për të projektuar planet personale dhe punësimin e familjarëve e militantëve partiak, dhe e ndarë në tri pushtete ekzekutive, duket se qëllim të vetëm ka mbijetesën deri në fund të mandatit

Kthehu mbrapa

Shto koment