Bashkatdhetarët nga Berni i Zvicrës, donacion për meremetimin e shtëpisë muze të Zija Shemsiut

19.05.2016 (komentet: 0)

 Një grup bashkatdhetarësh nga Gjilani që jetojnë dhe veprojnë në Bern të Zvicrës, kanë grumbulluar një donacion prej 2610 frangash zvicerane për renovimin e shtëpisë muze të heroit Zija Shemsiu.

 

 

Gjatë ditës, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka pritur në takim prijësin e kësaj iniciative, Nazmi Hazirin, të cilin e ka falënderuar për kontributin e tyre për meremetimin e shtëpisë muze për këtë kolos të kombit.

 

“Ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për kontributin tuaj dhe të bashkatdhetarëve nga Gjilani që kanë mbledhur këto mjete për meremetimin e shtëpisë muze të Zija Shemsiut, i cili u kryengrit dhe bëri që jehona e madhe e rezistencës së tij, jo vetëm në Gjilan e Anamoravë, por në mbarë Kosovën, të merret si shembull i veprimtarit të madh i cili kryengritjen e çon deri në fund”, ka thënë me këtë rast kryetarit Haziri.

 

Nga ana e tij, prijësi i kësaj iniciative, Nazmi Haziri, pasi falënderoi kryetarin Haziri për pritjen, tha se kjo është më e pakta që mund ta bëjnë ata, karshi kontributit të jashtëzakonshëm për lirinë e shqiptarëve të heroit Zija Shemsiu.

 

Kreu i Gjilanit menjëherë ka formuar një komisionin në përbërje, Rexhep Kadriu, Nazmi Haziri dhe Shaban Shemsiu, të cilët do ta mbikëqyrin deri në finalizim meremetimin e shtëpisë së heroit nga Përlepnica e Gjilanit.

 

Ndryshe, pos Nazmi Hazirit, iniciatorë të këtij aksioni janë edhe Refik Mehmeti, Arif Osmani, Kadrush Tali, Mark Prenkaj dhe Hajdar Sadrija. 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment