Asfaltohet rruga 3 kilometërshe Lladovë-Nasalë, Haziri mban premtimin e fushatës

20.09.2014 (komentet: 0)

 

Është asfaltuar sot rruga 3 kilometërshe Lladovë-Nasalë, e cila ka një gjerësi prej gjashtë metrash dhe është duke U punuar sipas standardeve europiane.

 

Për të parë nga afër asfaltimin e kësaj rruge, i pranishëm ka qenë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtorët komunal dhe zyrtarët.

“Është njëra nga arteriet kryesore që e lidhë Lladovën, Nasalën dhe natyrisht projekti ka për qëllim të kalojmë edhe në Komunën e Vitisë, duke e bërë një korridor të frekuentimit, por ajo që është e rëndësishme është aspirata e jonë e përbashkët dhe durimi i madh i banorëve të Lladovës dhe Nasalës, në veçanti, ka bërë që sot të jetë një ditë e mirë. Kjo rrugë po shtrohet me të gjitha standardet. Platforma e jonë është të ndërtohet infrastruktura bazike dhe ky është një borxh i kryer ndaj Nasalës dhe Lladovës”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.

Kryetari Haziri, tha po ashtu se me dinamikën e njëjtë do të vazhdohet me kryerjen e punëve në implementimin e katërshes së madhe të prioriteteve infrastrukturore.

“Ashtu siç që e kemi punuar rrugën e Bilinicës, të Llovcës, rrugët e Karadakut në përgjithësi, i kemi hapur rrugët e Sllakovcit, Kishnapoles, Gadishit dhe po ashtu në qytet, ashtu do të vazhdojmë të punojmë me dinamikën e njëjtë, dhe besoj shumë që qeveria e re që po pritet të vie, do t’i ndryshojë politikat ndaj Gjilanit sepse përfundimisht ne me mjetet tona buxhetore dhe me ndihmën e qeverisë mund t’i zgjidhim problemet që ka sot Gjilani”, tha kryetari Haziri.

Banorët e Lladovës e Nasalës janë shprehur tejet të lumtur me këtë investim, duke thënë se që 15 vite po e presin asfaltimin e kësaj rruge.

“Unë si përfaqësues i fshatit, me kënaqësinë më të madhe e kam pritur ditën e fillimit të asfaltimit të rrugës së fshatit Nasalë. Me asfaltimin e kësaj rrugë, besoj shumë që banorët nuk do të shpërngulen sepse kanë mundësi të punojnë tokat e tyre, ta zhvillojnë blegtorinë, pemëtarinë etj. E falënderojmë shumë kryetarin Haziri që e mbajti premtimin e fushatës”, ka thënë nga ana e tij përfaqësuesi i fshatit Nasalë, Ruzhdi Selimi.

 

“Falëmnerit prej kryetarit Lutfi Haziri që po na e shtron rrugën. Na jemi kanë përherë pa rrugë, po sot jemi shumë të gëzuem. S’ka qysh ma mirë”, tha Raqip Emini, plaku rreth të shtatëdhjetave nga Nasala.

Projekti kap vlerën e afro 200 mijë eurove dhe po realizohet nga Komuna e Gjilanit në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës.

Kthehu mbrapa

Shto koment