Arsimi është sektor me suksese e sfida

06.04.2015 (komentet: 0)

 Komiteti i Arsimit (KA) ka miratuar agjendën e punës për vitin 2015 si dhe raportin e Drejtorisë së Arsimit (DKA) për periudhën janar-mars 205. Arben Mehmeti, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se Komiteti do ta ndihmojë Drejtorinë e Arsimit në realizimin e objektivave të saj, sipas një plani që ngërthen 25 pika të punës, të cilat do të diskutohen veç e veç, gjatë muajve të ardhshëm.

 

 

Përndryshe, Mehmeti tha se ky Komitet është vlerësuar më aktivi nga shoqëria civile, në një raport për punën e Kuvendit dhe të trupave të tij, të OJQ “Anamorava”. Edhe anëtarët tjerë të KA, Rashit Sahiti, Florina Jerliu, Leonora, Bunjaku, Shukrije Rapuca e Ajtene Shahiqi i kanë dhënë përkrahje raportit, duke thënë se përfshin çështjet kyçe të arsimit.


Arben MEHMETI

 

Shahiqi ka kërkuar që të vazhdohet me trajnimet e mësimdhënësve, ndërsa Bunjaku ka thënë se duhet të sigurohen psikologët nëpër shkolla si dhe transporti për nxënësit e bujqësisë. Kurse Fehmi Sylejmani ka shprehur mospajtime me planin e punës së Komitetit, në shumicën e pikave, duke thënë se nuk buron nga plani i punës së DKA-së dhe njëkohësisht i ka ofruar propozimet e tij.

 

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, tha se në Komitetin e Arsimit referohen të gjitha çështjet dhe se ato, deri tani, janë diskutuar një për një. Sa i përket çështjes së psikologëve, ai tha se nevojë ka, por nuk ka buxhet, sikurse që nuk ka buxhet as për transportin e nxënësve të Bujqësisë. Pagesa e transportit për nxënësit e shkollave të mesme, nuk parashihet as me ligj, ka thënë Musa. 

Musa ka prezantuar edhe raportin e punës së DKA-së për tremujorin e parë të këtij viti, me të gjitha detajet, përfshirë edhe investimet në secilën shkollë veç e veç, që nga kryesuesi i KA, Arben Mehmeti, është vlerësuar si praktikë e mirë dhe që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.


Nazmi MUSA

 

Musa ka dhënë përgjigje edhe në disa vërejtje të FehmiSylejmanit, sa i përket raportit të punës së DKA-së. Ai ka thënë se arsimi ka suksese e sfida. Sipas Sylejmanit, raporti ka mjaft gjëra pozitive, por i mungojnë të dhënat për punësimet pa konkurs, shtyrjet e konkurseve për drejtor dhe zëvendës drejtor, për zyrtar të arsimit në DKA, për mësimin në gjuhën serbe dhe të tjera.

 

Ndryshe, Musa e ka njoftuar KA edhe me vendimin për pezullimin e drejtorit të shkollës së Bujqësisë, Nehat Salihu, duke mos dhënë detaje tjera, për të respektuar procedurat e mëtejme të dëshmimit të fajësisë ose të pafajësisë.

 

Musa ka thënë se masa fillestare, pezullim nga puna për 3 muaj, me pagesë, është marrë në bazë të fakteve, por rasti i tij duhet të shqyrtohet nga komisioni disiplinor, ku pala ka të drejtë t`i paraqes arsyet e tij.

 

Rasti ka të bëjë me një profesor të kësaj shkolle, i cili ka ngelur pa vend pune, por ai nuk është hequr nga lista dhe ka vazhduar të marrë pagë pa qenë fare në shkollë. Drejtori Nehat Salihu nuk e ka njoftuar DKA-në për këtë rast. /kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment