Ars Clubi “Beqir Musliu” kujton Zejnën

07.11.2015 (komentet: 0)

 Nën organizimin e Ars Club-it “Beqir Musliu”, e në kuadër të edicionit të gjashtë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, sot u shënua 70 vjetori i lindjes së shkrimtarit të shquar të letërsisë për fëmijë, Zejnullah Halilit, i cili ndërroi jetë më 24 shkurt 2004 në Prishtinë dhe u varros në vendlindjen e tij, në Kokaj të Karadakut.

 

 

Familjarët, miqtë, kolegët dhe e Zejnës, ashtu siç e quanin, sot u takuan në sallën e ish Kuvendit Komunal, dhe me këtë rast kujtuan të ndjerin.

 

Për veprën dhe kontributin e tij në letërsinë për fëmijë, por edhe të rritur folën: Ibrahim Kadriu, sipas të cilit Zejna mrekullisht e njihte botën e ëndrrave të fëmijëve, derisa Prend Buzhala theksoi se ai ishte ndër shkrimtarët më përfaqësues të letërsisë për fëmijë, e Xhevat Syla tha se ai i deshi shumë fëmijët andaj edhe la vepra tejet të çmuara për ta. Fjalë miradije për Zejnullah Halilin foli edhe Nijazi Ramadani e Sabit Rrustemi, bile ky i fundit propozoi që ndonjëra shkollë e komunës edhe do të duhej ta mbajë emrin e këtij shkrimtari të madh.

 

Ndërsa të pranishmëve me një falënderim iu drejtua e bija e shkrimtarit, Shqipe Halili. Ndërkohë u recituan edhe vargje nga krijimtaria e Zejnullah Halilit, nën përcjellje të tingujve të violonçelos.

 

Për Zenullah Halilin u tha se ai do të jetojë përmes veprës së tij sepse ishte mjeshtër i fjalës! 

Kthehu mbrapa

Shto koment